TIRANË - Superliga shqiptare e futbollit është në përgatitje të raundit të 15-të. Kjo javë përkon edhe me derbin e kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit, sfidë që do luhet të dielën në orën 18:00 në 'Air Albania'.

Në prag të ndeshjes për mediet foli trajneri i Tiranës, Ardian Nuhiu. Ai tha se kjo sfidë është jetike për bardheblutë, teksa lojtarët duhet të 'vdesin' në fushë për pikët. Bardheblutë pas javës së 14-të mbajën vendin e fundit me vetëm shtatë pikë dhe një fitore, pikërisht atë kundër Partizanit në derbin e fazës së parë.

Ndeshja kundër Partizanit? Është nder dhe kënaqësi të jesh pjesë e këtij derbi, por njëkohësisht edhe përgjegjësi. Lojtarët duhet të tregojnë karakter dhe personalitet sepse është ndeshje e veçantë dhe speciale edhe për tifozët tanë. Lojtarët duhet të kenë fokusin dhe të gjithë energjinë në fushë.

Derbi më shumë se një ndeshje dhe gjendja e vështirë - Nuk duhet vetëm të luajmë por edhe ta fitojmë, jo vetëm për tri pikët që kemi aq shumë nevojë, por edhe që të gëzojmë tifozët. Futbolli gjithmonë të jep një mundësi tjetër, është mirë që ndeshja po vjen shumë shpejt, që të harrojmë ndeshjen e kaluar.

Tani kemi mundësinë që të tregojmë shumë karakter, sepse kur je poshtë, kur je rrëzuar, duhet të reagojmë, të zgjohemi sepse vërtetë është shumë e rëndësishme për ne. Do të jetë ndeshje e vështirë sepse është derbi, por edhe skuadra kundërshtare ka bërë mirë në javët e fundit, futbollistët duhet të reagojnë dhe të “vdesin” në fushë për këtë takim, duhet të fitojmë edhe për klasifikimin që mos të shkëputen skuadrat e tjera, duhet të lemë shpirtin në fushë për të fituar.

Tifozët - Unë i falëndroj tifozët që po na mbështesin pas çdo ndeshje, uroj që nesër të kryejmë punën tonë dhe t'i gëzojmë tifozët. Duhet të flasim në fushë, është një sfidë e re, besoj të grupi që do të fitojnë, duhet të përgatitemi. Kemi diskutuar por nuk ndikon në të ardhmen time, i besojmë sistemit të punës, futbolli do kohën e vet, do përmirësohemi që skuadra të rritet gradualisht.

Vendimi për Patsatsia? Për Patsatsian është marrë vendimi që të mos jetë pjesë e grupit, ndërsa Soler ka dy-tre ditë që po stërvitet, do të jetë në përbërjen e grupit dhe asnjëherë s'ka qenë i larguar nga grupi, ka qenë çështje dëmtimesh, nesër do të jetë me grupin dhe pastaj do të shohim sa do të ndihmojë.

Objektiv është ndeshja e radhës, përkushtim për punën që këta djem të binden për kualitetin dhe t tregojnë në fushë që të fitojmë”, tha Nuhiu.

Tirana vjen nga humbja 6-2 kundër Dinamos dhe ky sezon është ndër më të dobëtit në historinë e klubit më të titulluar në Shqipëri. Nga ana tjetër, Partizani me 17 pikë ndodhet në vendin e gjashtë.