TIRANË- Një 18-vjeçare u plagos me armë zjarri në hotel Gjuta në zonën e Saukut në Tiranë, në dhomën e hotelit në pronësi të familjes së të dashurit të saj, nipi i Vladimir Gjutës, një personazhi me precedentë kriminalë, ish i dënuar. Ngjarja është e mbushur me mister, pasi dinamika dhe motivet e ngjarjes janë ende të paqarta. Policia ka arrestuar 2 nga pronarët e hotelit, ndërsa 3 anëtarë të familjes Gjuta janë në kërkim, mes tyre edhe djali 22-vjeçar, i cili ishte i lidhur me të renë.

Pasi 18-vjeçarja ka mbërritur në spital, policia ka këqyrur kamerat e sigurisë dhe ka zbuluar se ngjarja ka ndodhur të Hotel Gjuta, duke çuar në arrestimin e pronarëve Vladimir Gjuta, xhaxhai i 22-vjeçarit me të cilin vajza kishte raport intim, dhe Mirvete Gjuta, nëna e tij, të akuzuar për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Në kërkim u shpallën Sajmir Gjuta 49 vjeç babai i 22-vjeçarit, kushëriri Elvir Gjuta 24 vjeç, si edhe vetë Erisjaldo Gjuta të akuzuar për të njëjtat vepra penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ndërsa ndaj të dashurit të 18-vjeçares, rëndon edhe akuza e “Armëmbajtjes pa leje”, pasi arma me të cilën u shkaktua plaga e 18-vjeçares në gjoks ishte e Erisjaldo Gjutës.

Dinamika dhe dyshimet mbi ngjarjen

Dinamika e ngjarjes është ende e paqartë. Policia në një njoftim paraprak tha se “nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një subjekti në Sauk, ku 18-vjeçarja dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri”, por gjithsesi hetimet për zbardhjen e plotë të saj vijojnë.

Policia zyrtarisht njoftoi se 18-vjeçarja është dërguar në spitalin e Traumës rreth orës 00:15 të 14 shkurtit, dita e Shën Valentinit. Burime i thanë Report Tv se vajza rezulton e plagosur me armë zjarri në gjoks dhe tashmë ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, pasi i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Sipas të njëjtave burime, ajo ka marrë një plumb në zonën e kraharorit, tejshpues. Aktualisht po mbahet në observim dhe është nën monitorimin e vazhdueshëm nga stafi mjekësor.

18-vjeçarja është dërguar në spital nga nëna e 22-vjeçarit Mirvete Gjuta, tashmë e arrestuar, dhe nga kushëriri i Erisjaldos, Elvir Gjuta 24 vjeç, i shpallur në kërkim nga policia. Se cili është roli i vërtetë i tyre në gjithë këtë ngjarje, pritet të zbulohet nga hetimet e mëtejshme, por në deklaratën paraprake të policisë thuhet se dyshohet se ata kanë prishur provat në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë kallëzuar krimin. Madje kanë fshehur edhe armën me të cilën u shkaktua plaga në gjoksin e 18-vjeçares, pasi grupi hetimor nuk e ka gjetur atë në dhomën e hotelit ku ishte e reja.

Dy shoqëruesit e 18-vjeçares e cila është me origjinë nga fshati Shtiqën i Kukësit, kishin thënë në spital se vajzën nuk e njohin, por e gjetën të shtrirë te rreth-rrotullimi pranë Fakultetit Ekonomik. Deri këtu, gjithçka linte gjurmë për dy qytetarë të përgjegjshëm që ndihmojnë dikë në nevojë. Mjekët realizuan një ndërhyrje dhe e reja e la pas rrezikun për jetën. Por në kushtet e një plage me armë, spitali i Traumës njoftoi policinë. Këtu historia merr kthesë krejt tjetër.

Uniformat blu përmes kamerave të sigurisë, zbuluan se 18-vjeçarja nuk ishte gjetur në rrugë. E gjithë ngjarja rezultoi të ketë ndodhur në një hotel, në periferi të Tiranës, pak kilometra më tutje se Ekonomiku, në zonën e Saukut. Gruaja që e kishte çuar në spital, nuk ishte një qytetare e rastësishme, madje të renë e njihte shumë mirë. Vajza është e dashura e djalit të saj, 22-vjeçar. Vetë zonja, e cila rezultoi të jetë Mirveta Gjuta, është nuse në familjen që kanë në pronësi hotelin ku ngjarja ndodhi dhe u tentua të fshihej. Dhe mbi të gjitha, jo një familje e zakonshme. Ajo është kunata e Vladimir Gjutës, 46-vjeçarit me origjinë nga Kukësi, një personazh i njohur me disa prona në Tiranë dhe me precedentë të theksuar kriminalë, ish-i dënuar.

Nuk ka të dhëna publike se kush e ka pronësinë në letra të Hotel Gjutës, në Sauk, por atë natë, kur vajza 18-vjeçare u plagos, në hotel, kanë qenë disa nga anëtarët e familjes. Kur skenari i gjetjes në rrugë nuk pinte më ujë, Gjutajt nisën të thonë versione të tjera. Sipas dëshmive të marra prej Valdimir dhe Mirvete Gjutës, së pari i dashuri i vajzës, Erisjaldo dhe babai i tij dëgjuan të shtënë arme dhe kur hynë në dhomën e gjumit ku ndodhej 18-vjeçarja, e gjetën të vetëplagosur. Arma që pretendohet se vajza i drejtoi vetes, rezulton të jetë e ish-të dashurit të saj, i cili e mbante pa leje. Në këto kushte, sipas dëshmisë së Gjutajve, 22-vjeçari thërriti nënën e tij Mirveten, dhe xhaxhain Vladimir Gjutën.

Vetë, Vladimir Gjuta, me të vëllanë Saimirin, dhe nipin e tij, dyshohet se kanë nisur të pastrojnë gjurmët e gjakut në dhomë dhe në të gjithë hotelin dhe fshehën armën e krimit Nëna dhe një tjetër nip i familjes, Elvir Gjuta 24 vjeç, gjithashtu në kërkim, u udhëzuan të çojnë me makinë në spital vajzën e plagosur, dhe të thonë se e gjetën në rrugë.

Pse e bënë të gjithën këtë, anëtarët e familjes Gjuta, mësohet të jenë shprehur në polici: “vajza mund të vdiste dhe për shkak se tentativa për vetëvrasje ndodhi në biznesin e tyre, kishin frikë se do t'u faturohej atyre autorësia”. Pasi kanë fshehur çdo provë që mund t’i lidhte me 18-vjeçaren e plagosur, i dashuri i saj, Erisjaldo, babai Saimir Gjuta, dhe kushëriri 24-vjeçar, janë arratisur dhe ende nuk janë gjetur nga policia.

Edhe pse e tronditur dhe nën kujdesin e mjekëve, grupi hetimor ka arritur të marrë edhe një dëshmi të shkurtër të vajzës. "Kam gabime në jetë dhe desha të vras veten" – mësohet të jetë shprehur ajo. Një dëshmi që megjithatë po shihet me rezerva dhe hetohet nga policia nëse është e vërtetë, apo nëse vajza po tenton të mbrojë dikë tjetër. Vetëplagosje e cilësoi edhe policia në dyshimet paraprake për ngjarjen, ndërsa për të zbuluar se ç’ndodhi realisht me 18-vjeçaren vërtetën, do të pritet ekspertiza.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:29
18-vjeçarja vetëplagoset me armë në dhomën e hotel Gjuta, i dashuri dhe familjarët pastruan gjakun! Porosia: Thoni që u plagos tek ‘Ekonomiku’

Vajza ka qenë vetëm në dhomë të gjumit kur ka marrë armën dhe ka qëlluar veten. Sajmir dhe Erisjaldo Gjuta kanë qenë jashtë dhe kanë dëgjuar të shtënat, raporton gazetari i Report Tv Sokol Dema.

Kur kanë hyrë të dhoma kanë parë vajzën të vetëplagosur dhe kanë thirrur edhe anëtarët e tjerë, Mirvete dhe Vladimir Gjuta dhe kanë vendosur që të pastrojnë vendin e ngjarjes, kanë marrë e fshehur armën, kanë larë gjakun ndërsa Mirvetja me Elvirin janë nisur me makinë për ta dërguar në spital dhe janë porositur të deklarojnë që "vajzën e kanë gjetur të shtrirë te rrethi i Ekonomikut".

Pas hetimit, rezultoi se vajza në fakt ishte vetëplagosur në hotelin e tyre. Më herët, 18-vjeçarja dyshohet se ka tentuar edhe herë tjetër për t'u vetëdëmtuar.

"Më datë 14.02.2026, rreth orës 00:15, në spital është paraqitur e plagosur me armë zjarri shtetasja N. K., 18 vjeçe, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga veprimet e shpejta hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, si dhe nga kqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një subjekti në Sauk, ku 18-vjeçarja dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri. E dëmtuara është transportuar në spital nga shtetasja M. R. (Gj) dhe shtetasi E. Gj., 24 vjeç. Në vijim të veprimeve procedurale:

-u arrestuan në flagrancë shtetasit V. Gj., 46 vjeç dhe M. R. (Gj), 48 vjeçe, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;

-u shpallën në kërkim shtetasit S. Gj., 49 vjeç, dhe E. Gj., 24 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, si dhe shtetasi E. Gj., 22 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Këta shtetas dyshohet se kanë prishur provat në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë kallëzuar krimin.

Vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur në ngjarje, si dhe për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme", njoftoi Policia. 

Ora 09:18
Ngjarja në hotel Gjuta në Sauk/ Rrëfehet 18-vjeçarja: Kam bërë gabime në jetë! Dëshmia e familjes Gjuta: Kishim frikë mos na faturonin krimin

Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë mesnatës në hotel Gjuta në zonën e Saukut ku një 18-vjeçare është vetëplagosur me armë zjarri.

E reja është e dashura e 22-vjeçarit Erisjaldo Gjuta, i cili është shpallur në kërkim së bashku me Sajmir Gjutën, babai i tij, dhe Elvir Gjuta, kushëriri i tij, i cili ka shoqëruar në spital 18-vjeçaren së bashku me të ëmën e 22-vjeçarit.

Të arrestuar janë Mirvete Gjuta dhe xhaxhai i 22-vjeçarit Vladimir Gjuta. Të gjithë personat e shpallur në kërkim dhe ato të arrestuar akuzohen për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. 22-vjeçari Erisjaldo Gjuta akuzohet gjithashtu dhe për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.

Vajza 18-vjeçare N.M., e dashura e Erisjaldo Gjutës, ka vetëm një plumb në gjoks. Gjatë natës është operuar dhe është në gjendje të mirë shëndetësore. Në dëshminë e dhënë pasi është përmendur është shprehur se "kam gabime në jetë dhe desha të vras veten", pas dhënë një qasje të qartë të veprimit, raporton gazetari i Report Tv Sokol Dema.

Të marrë në pyetje, anëtarët e familjes Gjuta, të cilët kanë fshehur ngjarjen, paraprakisht kanë deklaruar se vajza mund të vdiste dhe për shkak se tentativa për vetëvrasje ndodhi në biznesin e tyre, kishin frikë se do t'u faturohej atyre autorësia.

Ora 09:02
18-vjeçarja e plagosur në hotelin e tij, historiku i krimeve të Vladimir Gjutës! I arrestuar më parë për konfliktin me Saimir Tahirin! Shkoi me armë te selia e PS ku ishte Rama

Vladimir Gjuta i arrestuar për moskallëzim krimi për vetëplagosjen e 18-vjeçares hotel ‘Gjuta’ është një emër i njohur i botës së krimit. Gjuta është një 46 vjeçar me origjinë nga Kukësi dhe banim në Tiranë. Me arsim 8-klasë, ai ka një skedë të pasur me probleme me drejtësinë. Emri i tij u lakua për herë të parë në vitin 2013, ku u dyshua si i përfshirë në një konflikt të armatosur me një person tjetër me rekorde në Kukës për një borxh. Në atë kohë, të dy nuk pranuan se ishin përplasur me njëri-tjetrin dhe çështja u mbyll.

Një vit më pas, në Tiranë, një polic rrugor guxoi t’i vendoste një gjobë për parkim të gabuar Vladimir Gjutës, përpara kazinosë në pronësi të tij. Gjuta dhe 2 të tjerë goditën policin dhe për pasojë ai u arrestua, por gjykata vendosi ta linte në arrest shtëpie.

Në vitin 2015, Vladimir Gjuta u akuzua se ishte autori i vendosjes së tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm të kohës, Saimir Tahirit. Edhe pas shpërthimit me tritol, ai i dërgoi mesazhe kërcënuese Tahirit, çka e detyroi ministrin të lëvizë me masa të larta sigurie.

Për ta arrestuar, forcat speciale i shkuan “blic” në ambientet e “Vilës Gjuta”, e në rrugën e Elbasanit aty ku kishte informacione se qëndronte Vladimir Gjuta. Por blutë e vunë në pranga, teksa Gjuta po tentonte të arratisej duke u larguar drejt Kosovës, me një paruke në kokë.

Për këtë ngjarje u lirua pak ditë më pas, por shpejt, në 2016-ës, Gjuta u arrestua sërish pasi akuzohej për dhunë fizike ndaj babait të tij.

Dhunimi i të afërmve, u përsërit në fillim të vitit 2020 pasi qëlloi kushëririn e tij disa herë me çekiç, duke dëmtuar rëndë në fytyrë. U arrestua, por u lirua menjëherë pasi i afërmi i tij u tërhoq nga denoncimi.

Më 10 shkurt 2020 arrestimi i radhës. Vladimir Gjuta u ndalua nga punonjësit e Gardës pasi ishte afruar shumë pranë selisë së Partisë Socialiste në Tiranë, aty ku ndodhej dhe kryeministri Edi Rama. Në brez iu gjet një pistoletë me 18 fishekë dhe mbi 100 mijë euro në cantë. Ai u dënua me 5 vite burg për armëmbajtje pa leje.

Gjatë qëndrimit në burg, ai u gjend në disa incidente, që përfshinë goditje dhe kafshime të policëve të burgjeve, që gjithsesi nuk e mbajtën gjatë në qeli. Pavarësisht episodeve të sheshta kriminale ku përfshihej apo lakohej, Gjuta ja dilte të shpëtonte duke përdorur taktika nga tërheqja e të dëmtuarve, tek raportet mjekësore.