Aksionet e dhunshme gjatë protestës së së shtunës kanë sjellë arrestimin e tre personave në Tiranë.

Sipas policisë, të arrestuarit janë të moshave 33, 23 dhe 15 vjeç dhe kanë thyer trafikndarëset, stendat e reklamave, stacionet e urbanëve, penguan qarkullimin e mjeteve si dhe nuk i janë bindur urdhrave të policisë, madje njëri prej tyre goditi një efektiv gjatë shoqërimit në komisariat.

Ndërkohë, 18 persona të tjerë janë proceduar penalisht për përfshirjen e tyre në veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.

Përveç arrestimeve, policia ka vendosur 44 gjoba ndaj protestuesve, ku dy prej tyre kapin vlerën e 500 mijë lekëve secila. Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Ajo që ishte lajmëruar si një protestë kombëtare studentore të shtunën, dështoi në pjesëmarrje në një grup shumë të vogël që u mblodhën te ministria e Arsimit e marshuan drejt Kryeministrisë. Protesta u mbajt përreth 4 orë e gjysmë.

Një grup me maska rikthyen aktet vandale në qytet, duke djegur kosha mbeturinash, shkulën gurë nga trotuarët e thyen disa reklama. Para kryeministrisë, një grup me maska tentuan të thyejnë derën e kryesisë së Kuvendit.