Firmat e ndërtimit i kanë bërë dorëzimin e këtyre pallateve, ndërmarrjes nr. 3 të Bashkisë së Tiranës, duke shënuar kështu procesin e ndarjes së tyre për familjet në nevojë të kryeqytetit.
E pranishme në dorëzimin e këtyre apartamenteve ishte edhe nënkryetarja e Bashkisë, znj. Nevila Xhindi.
“Sot, Bashkia e Tiranës merr në dorëzim 385 apartamente, të cilat janë pjesë e fondit të banesave sociale me qira. Besoj, jeni në dijeni që për banesat sociale me qira është folur shumë kohët e fundit por është bërë shumë pak, për të mos thënë aspak nga administrata paraardhëse në Bashkinë e Tiranës, për të përfunduar procesin e kontraktuar nga Bashkia e Tiranës.
Procesi nuk ka qenë i lehtë për të ardhur sot në këtë ditë, ku ne i marrim në dorëzim nga firmat që kanë qenë të kontraktuara nga Bashkia e Tiranës. Pallati i fundit që ka mbaruar ka qenë një procedurë e gjatë, pasi Bashkisë së Tiranës i është dashur të zhvendosë linjën e tensionit të lartë 110 kilovolt dhe njëkohësisht kabinën elektrike të tensionit të lartë dhe një linjë tjetër në krah që ka qenë 20 kilovolt”, u shpreh nënkryetarja e Bashkisë, Xhindi.
Sipas saj, “Nuk kanë mbaruar këtu hallet e Bashkisë së Tiranës, për të proceduar me këto ndërtesa”.
“Administrata paraardhëse na kishte lënë një faturë me borxhe shumë të mëdha të pashlyera, nga CEZ dhe Ujësjellësi, miliona lekë të cilat i likuidoi Bashkia e Tiranës dhe bëri të mundur lidhjen e kontratave për furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm” - deklaroi znj. Xhindi.
“Bashkia e Tiranës do të nisë pa humbur kohë me shqyrtimin e dosjeve, në bazë të kritereve të përcaktuara për të përfituar banesa sociale, të cilat do t’i kalojnë për vendimmarrje Këshillit Bashkiak.
Sot, janë rreth 1132 dosje të depozituara nga familjet në nevojë, për të kaluar procedurat për të përfituar banesat sociale me qira. Janë vetëm 385 apartamente (së bashku do të shkojmë të shikojmë që janë krejtësisht të përfunduara) dhe e gjitha do të hyjë në një dinamikë të rishqyrtimit të dosjeve, procedurave dhe kalimit të tyre në Këshillin Bashkiak, për miratim”, - deklaroi Xhindi.
Qiraja për këto banesa varion nga 4 në 10 mijë lekë dhe hapësirat variojnë nga garsonierë 1+1; 2+1, dhe 3+1.
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)