Por, siç tregon një investigim i kryer në terren nga Shqiptarja.com, eksperimenti duket se tashmë ka dështuar: edhe pse Eco Tirana ka shpërndarë kazanë të diferencuar (me ngjyrë të gjelbër për letër, karton, qelq, plastikë e metal dhe me ngjyrë blu për mbetjet e tjera shtëpiake), në fazën e marrjes përmbajtja e dy kazanëve përmbyset brenda të njejtit kamion, duke e bërë kështu krejt të kotë sensin e mbledhjes së diferencuar.
Nga njera anë, popullatës nuk iu tregua fare se si do të funksioninte mbledhja e diferencuar, por, nga ana tjetër, edhe ai diferencim minimal i bërë nga pak qytetarë me vullnet të mirë, të cilët zgjedhin të dallojnë përdorimin e kazanit të gjelbër nga ai i kazanit blu, bëhet zero nga një mbledhje e mbetjeve, që kryhet prej shoqërisë së bashkisë, e cila nuk mban parasysh asnjë dallim.
Ndoshta është për shkak të falimentimit të kësaj faze eksperimentale, që Bashkia e Tiranës duket të ketë vendosur të heqë dorë, të paktën në tre vitet e ardhshme, nga projekti ambicioz për ta shtrirë mbledhjen e diferencuar të mbetjeve tek pjesa tjetër e kryeqytetit.
Historia e tenderit 13 mln euro për mbledhjen
Ditët e fundit janë shpallur tendera për t’u dhënë privatëve shërbimin e mbledhjes së mbeturinave për zonat 2, 3 dhe 4 të kryeqytetit me një vlerë totale prej 13 milionë eurosh (plus TVSH): garat kanë të bëjnë me mbledhjen për tre vitet e ardhshme dhe, në kushtet teknike të parashikuara në garat, në fakt, nuk ka asnjë shenjë të procedurave për mbledhjen e diferencuar.
Në 20 faqe dedikuar kushteve teknike, që shoqërojnë secilën garë, vetëm një frazë i referohet mbledhjes së diferencuar, më pas kjo çështje injorohet krejtësisht.
Le ta shohim në detaje
Gara për zonën Tirana 2, me vlerë 537 milionë lekë (të reja) për tre vjet, parashikon furnizimin dhe zbrazjen e 1.026 kazanëve, të ndara në 494 PGM (pika të grumbullimit të mbetjeve). Më pas, dokumenti saktëson: “Në momentin që Autoriteti Kontraktor do të aktivizojë procesin e grumbullimit të ndarë të mbetjeve në zonën ‘Tirana 2’, 152 kontenierë do të bëhen pjesë e këtij procesi”. I përkthyer në shifra, kjo do të thotë që vetëm tek një e treta e qendrave të grumbullimit (494) do të kishte një kazan për mbledhjen e diferencuar: në të kundërt, kazanat me ngjyra të ndryshme (një për sendet e riciklueshme dhe i dyti për mbetjet e tjera shtëpiake) duhet të shpërndaheshin në sasi të njejta.
Por problemi i vërtetë ka të bëjë me sasinë e kamionëve të kërkuar: në fakt, në garë parashikohet që firma fituese do të vejë në dispozicion 8 kamionë me kapacitet deri në 10 ton dhe 3 kamionë deri në 7 ton. Çështja është se mbledhja e diferencuar kërkon me detyrim kamionë të posaçëm për secilën lloj mbetjeje dhe kështu që gara duhet të kishte parashikuar që kamionët, të cilët do të viheshin në dispozicion, do të shtoheshin në rast se do të fillonte mbledhja e diferencuar. Ky detyrim, në të kundërt, nuk është parashikuar.
E njejta “harresë” ka të bëjë edhe me dy lotet e tjera. Gara për zonën Tirana 3, me vlerë 495 milionë lekë (të reja) për tre vjet, parashikon furnizimin dhe zbrazjen e 950 kazanëve, të ndarë në 479 PGM (pika të grumbullimit të mbetjeve). Edhe në këtë rast, saktësohet se “Në momentin që Autoriteti Kontraktor do të aktivizojë procesin e grumbullimit të ndarë të mbetjeve në zonën ‘Tirana 3’, 126 kontenierë do të bëhen pjese e këtij procesi”. Kështu, si edhe në rastin e Tirana 2, edhe këtu është parashikuar vetëm një kazan i diferencuar çdo tri pika të grumbullimit të mbetjeve.
Kamionët e kërkuar janë 6 me kapacitet deri në 12 ton dhe 4 deri në 7 ton. Por, pikërisht si edhe në rastin e Tirana 2, edhe për zonën Tirana 3 nuk parashikohet që numri i kamionëve të rritet në rast se do të niste mbledhja e diferencuar.
Situata është identike për garën e zonës Tirana 4. Këtu vlera rritet në 744 milionë lekë (të reja) për tre vjet dhe parashikohet furnizimi dhe zbrazja e 1.373 kazanëve, të ndarë në 548 PGM (pika të grumbullimit të mbetjeve). Edhe këtu vihet në dukje se “Në momentin që Autoriteti Kontraktor do të aktivizojë procesin e grumbullimit të ndarë të mbetjeve në zonën ‘Tirana 4’, 228 kontenierë do të bëhen pjesë e këtij procesi”.
Edhe këtu kazanët e destinuar për mbledhje të diferencuar janë shumë më pak se pikat e grumbullimit të mbetjeve dhe, saktësisht si në dy garat e tjera, nuk është parashikuar asnjë rritje e numrit të kamionëve, që janë e mbeten 11 me kapacitet deri në 12 ton dhe 2 deri në 7 ton.
Në specifikimet teknike të të tri garave, që parashikojnë rregullat e shërbimit për mbledhjen e mbetjeve urbane për tre vitet e ardhshme, nuk ka asnjë lloj tjetër referimi ndaj detyrimeve që rrjedhin nga ndonjë plan për mbledhjen e diferencuar.
Duke marrë parasysh falimentimin e eksperimentit, të bërë deri tani nga Eco Tirana (që mund të shfrytëzonte edhe përvojën e madhe të ortakut italian në këtë sektor), lind dyshimi se Bashkia, pasi kaloi faza e shpalljes, e ka kuptuar që është e pamundur të shtyjë të paktën në tre vitet e ardhshme mbledhjen e diferencuar të mbetjeve për pjesën tjetër të Tiranës.
Dhe kjo, jo vetëm se se popullata as minimalisht nuk u “edukua” dhe informua lidhur me procedurat që duhet të ndiqeshin, por edhe se mbledhja e diferencuar nuk ka asnjë kuptim nëse, në të njejtën kohë, nuk ngrihen edhe impiantet për përpunimin e diferencuar të mbetjeve, tjetër projekt ky, deri tani vetëm i shpallur, por nga i cili nuk duket ende asnjë shenjë konkrete. L. D.
Bashkia dhe kompania Eco Tirana nuk flasin
Për dy ditë rresht, të martën dhe të mërkurën, Shqiptarja.com ka kontaktuar me Bashkinë e kryeqytetit, si dhe me ndërmarrjen Eco Tirana, për të mësuar lidhur me ecurinë e procesit të diferencimit të mbetjeve urbane. Përfaqësuesit e zyrës së Komunikimit pranë Bashkisë Renato Kalemi dhe Denis Dedej nuk ishin në gjendje të jepnin informacion dhe kërkuan kohë për t’u konsultuar me specialistët e sektorit përkatës.
Por sërisht nuk dhanë asnjë përgjigje.
E njejta gjë ndodhi edhe me zyrën e shtypit të Eco Tirana, ku një punonjëse, e cila nuk pranoi të japë emrin e saj, por pohoi se ishte e ngarkuar me detyrën e informimit të publikut, tha se nuk ishte në gjendje të sqaronte pyetjet lidhur me diferencimin e mbetjeve.
Heshtja e përfaqësuesve të pushtetit vendor, si dhe të kompanisë në fjalë përforcon bindjen, që tashmë u është krijuar qytetarëve, se, ndryshe nga sa u pretendua në momentin e krijimit të Eco Tirana, diferencimi i mbetjeve nuk është aktiv.
Kjo duket edhe me rikthimin e aktivitetit të atyre që kërkojnë nëpër të gjithë kazanët pa dallim materiale të riciklueshme, fenomen, të cilin Bashkia mori përsipër ta zhdukte
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com