Tiranë-Katër persona u arrestuan nga blutë e kryeqytetit, pasi goditën punonjësit e Policisë Rrugore dhe i dëmtuan makinën teksa ishin në krye të detyrës.
Raportohet se ngjarja ka ndodhur në rrugën ‘Mikel Maruli’, ku Rrugorja pasi panë që një automjet kaloi semaforin me të kuqe e ndoqën nga pas.
“Punonjësit e Policisë Rrugore kanë ndjekur automjetin të cilin drejtuesi porsa ka parë Policinë e ka parkuar dhe vetë ka vijuar lëvizjen në këmbë, por është ndaluar nga shërbimet e Policisë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme administrative për shkeljen e konstatuar”, informoi sot policia, teksa theksohet se shoferi Agim Shahu, po drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Ndërkohë po ashtu blutë bëjnë me dije se këta shtetas: Agim Shahu, Albert Xhorxha, Besart Xhaferri dhe Blendi Xhoxha gjatë shoqërimit në Komisariat kanë dëmtuar mjetin e policisë si dhe kanë dëmtuar derën e ambienteve të shoqërimit.
“Në vijim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.6, arrestuan në flagrancë shtetasit: Agim Shahu, 37 vjeç, Albert Xhorxha, 32 vjeç, Besart Xhaferri, 30 vjeç, të tre banues në Kukës, dhe Blendi Xhoxha, 25 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik“, “Kanosja për shkak të detyrës“, “Goditje për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës“ e kryer në bashkëpunim, dhe “ Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, informoi më tej policia.