TIRANË - Një person me aftësi të kufizuara ka humbur jetën nga asfiksia mbrëmjen e sotme, pasi banesa e tij u përfshi nga flakët.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e “Ali Demit” në kryeqytet. Zjarri ka përfshirë katin e parë të banesës së 72-vjeçarit Theodhor Llulla, i cili jetonte i vetëm, pranë shkollës 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë”.

“Rreth orës 21:20, në rrugën “Ali Demi”, në katin e parë të banesës së shtetasit Th. Ll, 72 vjeç, ka rënë zjarr. Si pasojë dyshohet se ka humbur jetën 72-vjeçari.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”,- njofton policia.