TIRANËQeveria ka cenuar lirinë e medias kur vendosi mbylljen e TikTok, vendosi Gjykata Kushtetuese me shumicë votash.

Kushtetuesja vendosi se me VKM-në e 6 marsit 2025, qeveria shqiptare cenoi lirinë e shprehjes dhe të shtypit dhe nuk e respektoi nenin 17 të Kushtetues që sanksionon se kufizimi i të drejtave të njeriut bëhet vetëm me ligj, për një interes të madh publik dhe proporcional.

Kushtetuesja pranoi pjesërisht ankimin e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë dhe BIRN, kërkesë të cilën tha se e kishte marrë në shqyrtim për shkak të interesit të madh publik, edhe pse objekti nuk ekzistonte më pasi Tik-Tok u rihap në fillim të shkurtit.

Edhe pse e cilësoi si një vendim të marrë për një interes të madh publik siç është mbrojtja e të miturve, Gjykata Kushtetuese tha 2 nga 3 kriteret e nenit 17 të ligjit themelor janë shkelur kur u ndalua TikTok, fakti që duhej të ishte bërë me ligj dhe jo me VKM si dhe propocionaliteti.

"Në këto kushte, VKM-ja nr. 151/2025 nuk mund të konsiderohet thjesht si akt që detajon teknikisht një kufizim të parashikuar më parë nga ligji, por si akt që ka materializuar vetë kufizimin në thelbin e tij. Për rrjedhojë, kriteri i kufizimit “vetëm me ligj”, nuk është përmbushur", thuhet në vendim.

Sa i përket proporcionalitetit Kushtetuesja thotë se qeveria nuk dha argumente bindëse se pse një bllokim i përgjithshëm i platformës përbënte mjetin e vetëm efektiv dhe të domosdoshëm për arritjen e objektivit të synuar, mbrojtjen e fëmijëve.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kreut të qeverisë Edi Rama i cili kritikoi vendimin e Kushtetueses.

"Gjykata Kushtetuese mendoka që 90% e prindërve dhe mësuesve shqiptarë ishin gabim kur kërkuan mbylljen e TIKTOK-ut! Falë asaj mbylljes sot prindërit dhe mësuesit mund të jenë pakëz më të lehtësuar, ndërsa falë këtij vendimi që s’dua t’ia ve emrin që ka, shpifësit mund të ndjehen të inkurajuar", shkroi Rama. 

Vendimi i së mërkurës së Gjykatës Kushtetuese përbën vendimin e parë në kontinent sa i përket masave kufizuese ndaj platformës TikTok, një rrjet i vënë në qendër të vëmendjes vitin e kaluar.

Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot në datën 11.03.2026, mori në shqyrtim çështjen me kërkuese shoqata “Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë” dhe qendra “Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative, Shqipëri – Balkan Investigative Reporting Netëork, Albania”, me objekt shfuqizimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 151, datë 06.03.2025 “Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line “Tik Tok”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata Kushtetuese pasi mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 05.02.2026 kërkesën e subjektit të interesuar, Këshillit të Ministrave, për pushimin e këtij gjykimi vendosi rrëzimin e saj me argumentin se çështja paraqet interes publik dhe se pavarësisht shfuqizimit të mëvonshëm të VKM-së objekt shqyrtimi, vijimi i gjykimit mbetet i nevojshëm jo vetëm për mbrojtjen efektive të subjekteve të prekura, por edhe për orientimin e veprimtarisë së ardhshme normative dhe administrative të organeve publike.

Në vijim Gjykata mori në shqyrtim pretendimet e palëve dhe vlerësoi sa më poshtë:

Për sa i përket juridiksionit të saj, për sa kohë pretendimet e kërkueseve janë me natyrë kushtetuese dhe VKM-ja nr. 151/2025 ka karakter normativ pasi nuk i drejtohet një kategorie të përcaktuar nominalisht, vendos një rregull të përgjithshëm normativ, për kohëzgjatjen e saj dhe prodhon efekte që nuk shterojnë me të, Gjykata vlerësoi se ajo i nënshtrohet juridiksionit kushtetues.

Lidhur me kriterin e legjitimimit të kërkueseve, Gjykata vlerësoi se ato legjitimohen për pretendimet që, sipas përmbajtjes së tyre, lidhen me ushtrimin e të drejtave dhe lirive të gazetarëve dhe punonjësve të medias që ato synojnë të mbrojnë. Po kështu, kërkueset legjitimohen edhe ratione temporis në kuptim të nenit 50, pika 1, të Ligjit Organik të Gjykatës, pasi kërkesa është paraqitur brenda afatit dy-vjeçar.

Në lidhje me pretendimin për cenimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike, Gjykata vlerësoi se kërkueset nuk kanë arritur të argumentojnë në nivel kushtetues një lidhje të drejtpërdrejtë dhe konkrete ndërmjet aktit të kundërshtuar dhe cenimit të lirisë së veprimtarisë ekonomike në raport me vetë to ose me interesat që ato përfaqësojnë sipas qëllimit për të cilin janë krijuar.

Për sa i përket pretendimit për cenimin e lirisë së shprehjes, lirisë së shtypit dhe të drejtës për informim, Gjykata vlerësoi se kërkueset legjitimohen ratione materiae për pretendimet që lidhen me kufizimin e lirisë së shprehjes dhe të lirisë së shtypit, për aq sa VKM-ja e kundërshtuar pretendohet se ka ndikuar në ushtrimin e veprimtarisë së tyre në këto drejtime. Ndërsa për të drejtën për informim, për sa kohë argumentet e kërkueseve lidhen me pengimin e shpërndarjes së informacionit nëpërmjet platformës TikTok, me kufizimin e komunikimit publik dhe me ndikimin e kësaj mase në ushtrimin e lirisë së shprehjes dhe të lirisë së shtypit, këto elemente do të vlerësohen në kuadër të pretendimeve kryesore që burojnë nga neni 22 i Kushtetutës.

Për themelin e pretendimeve, Gjykata arriti në përfundimin se ndërprerja e aksesit në platformën TikTok përbën kufizim të lirisë së shprehjes dhe të shtypit dhe për këtë shkak ajo vlerësoi të analizojë këtë kufizim në këndvështrim të kritereve të nenit 17 të Kushtetutës, pra nëse ai është bërë me ligj, për interes publik dhe nëse është respektuar kriteri i përpjesëtimit midis ndërhyrjes dhe gjendjes që e ka diktuar atë.

Në lidhje me kriterin e parë, të kufizimit “vetëm me ligj”, Gjykata vlerësoi se, megjithëse ligjet mbi bazën e të cilave ka dalë VKM-ja nr. 151/2025 parashikojnë kompetenca të caktuara rregullatore dhe mbrojtëse në fushën e komunikimeve elektronike dhe të të drejtave të fëmijëve, ato nuk i japin Këshillit të Ministrave një autorizim të qartë, të posaçëm dhe të parashikueshëm për vendosjen e një mase me karakter të përgjithshëm, siç është ndërprerja e plotë e aksesit në një platformë on-line për të gjithë përdoruesit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në këto kushte, VKM-ja nr. 151/2025 nuk mund të konsiderohet thjesht si akt që detajon teknikisht një kufizim të parashikuar më parë nga ligji, por si akt që ka materializuar vetë kufizimin në thelbin e tij. Për rrjedhojë, kriteri i kufizimit “vetëm me ligj”, nuk është përmbushur.

Për sa i përket kriterit të dytë, të kufizimit për interes publik ose arsye të rëndësishme publike, Gjykata e vlerësoi të përmbushur pasi ai konsiston në mbrojtjen e të drejtave dhe interesit më të mirë të fëmijës dhe të të rinjve dhe qëllimi i VKM-së nr. 151/2025 ka qenë marrja e masave për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line TikTok në nxitjen e dhunës veçanërisht te fëmijët, në shkaktimin e problemeve të zhvillimit psiko-social të tyre, si dhe në shkaktimin e problematikave sociale në tërësi.

Në lidhje me kriterin e tretëproporcionalitetin e ndërhyrjes, Gjykata vlerësoi të analizonte tre nënkriteret e tij si vijon:

Për sa i përket nënkriterit të parë, nëse objektivi i ligjvënësit është mjaftueshmërisht i rëndësishëm për të justifikuar kufizimin e së drejtës, Gjykata vlerësoi se për sa kohë mbrojtja e të miturve përbën një interes publik me peshë të veçantë në një shoqëri demokratike dhe është njohur si një nga qëllimet legjitime që mund të justifikojnë kufizime të caktuara në ushtrimin e të drejtave dhe lirive themelore, objektivi i synuar nga autoritetet publike është mjaftueshmërisht i rëndësishëm për të justifikuar, në parim, vendosjen e një kufizimi ndaj lirisë së shprehjes së kërkueseve.

Lidhur me nënkriterin e dytë, nëse masat e marra janë të lidhura në mënyrë të arsyeshme me objektivin, Gjykata vlerësoi se ndonëse mungesa e mundësisë teknike të drejtpërdrejtë të pretenduar nga subjekti i interesuar, Këshilli i Ministrave, për të ndërhyrë në funksionimin e platformës përbën një rrethanë relevante në vlerësimin e proporcionalitetit, ajo nuk mjafton si e tillë për të justifikuar domosdoshmërinë e bllokimit të përgjithshëm të aksesit, për sa kohë mbetej për t’u vlerësuar nëse ekzistonin mjete të tjera juridike, potencialisht më pak kufizuese, për arritjen e objektivit të synuar. Gjykata, vlerësoi se subjekti i interesuar nuk ka shqyrtuar në mënyrë të mjaftueshme mundësinë e përdorimit këtyre mjeteve dhe nuk ka provuar në mënyrë bindëse se një bllokim i përgjithshëm i platformës përbënte mjetin e vetëm efektiv dhe të domosdoshëm për arritjen e objektivit të synuar.

Në lidhje me nënkriterin e tretë, nëse mjetet e përdorura nuk janë më të ashpra se sa duhet për të arritur objektivin e kërkuar, Gjykata vlerësoi se ndonëse kategoria e gazetarëve ka pasur në dispozicion edhe mjete të tjera komunikimi që ishin funksionale, vetëm ekzistenca e tyre nuk mund të jetë një element vendimtar për vlerësimin e proporcionalitetit të një mase që kufizon ose eliminon tërësisht aksesin në një hapësirë të caktuar komunikimi, për sa kohë platforma e bllokuar paraqiste karakteristika të veçanta si hapësirë komunikimi publik dhe shpërndarjeje informacioni. Gjithashtu fakti që masa ishte e përkohshme nuk mjafton për ta bërë atë proporcionale, në rrethanat kur ajo mori formën e një ndalimi të përgjithshëm dhe u lidh me një kusht të ardhshëm e të pasigurt, që varej nga zhvillimet teknike të vetë platformës.

Në përfundim, Gjykata vlerësoi se ndërhyrja nuk përmbush kriterin e proporcionalitetit të parashikuar nga neni 17 i Kushtetutës dhe pretendimet e kërkueseve në drejtim të lirisë së shprehjes dhe të lirisë së shtypit janë të bazuara, ndaj kërkesa në këtë pjesë pranohet.

Gjykata vlerësoi gjithashtu se, në kushtet kur VKM-ja nr. 151/2025 nuk është më pjesë e rendit juridik, për shkak të shfuqizimit të saj me VKM-në nr. 62/2026, kërkimi i kërkueseve për shfuqizimin e saj ka mbetur pa objekt. Megjithatë, në rrethanat kur Gjykata, në përputhje me nenin 51, pika 2, të Ligjit Organik të saj, vlerësoi se çështja paraqet interes publik dhe vijoi shqyrtimin në themel, ajo çmoi të nevojshme të shprehet vetëm për konstatimin e cenimit të lirisë së shprehjes dhe të lirisë së shtypit si rezultat i zbatimit të VKM-së nr. 151/2025.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash:

  1. Pranimin pjesërisht të kërkesës. 
  2. Konstatimin e cenimit të lirisë së shprehjes dhe të lirisë së shtypit si rezultat i zbatimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 151, datë 06.03.2025 “Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line “Tik Tok””,

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:07
Vendimi për TikTok, Rama: Kushtetuesja mendonka se 90% e prindërve dhe mësuesve ishin gabim kur kërkuan mbylljen

1772961074_Sequence01.00580424.Still267.jpg

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Kushtetueses për rrjetin TikTok, e cila arriti në përfundimin se mbyllja ka cenuar lirinë e shprehjes dhe të shtypit. Kryeministri shkruan se Kushtetuesja mendonka se 90% e prindërve dhe mësuesve shqiptarë ishin gabim kur kërkuan mbylljen.

Shefi i qeverisë thotë se TikTok u hap falë mirëkuptimit që gjetën tek kompania për masat extra, pasi po të ishte "për Gjykatën Kushtetuese, s’do ishte mbyllur fare dhe as masat pozitive s’do kishin ardhur dot"

“Gjykata Kushtetuese mendoka që 90% e prindërve dhe mësuesve shqiptarë ishin gabim kur kërkuan mbylljen e TIKTOK-ut! Fatmirësisht ne e rihapëm TIKTOK-un falë mirëkuptimit që gjetëm tek kompania për masat extra që u morën prej saj, pikërisht falë mbylljes, se të ishte për Gjykatën Kushtetuese, s’do ishte mbyllur fare dhe as masat pozitive s’do kishin ardhur dot!  Falë asaj mbylljes sot prindërit dhe mësuesit mund të jenë pakëz më të lehtësuar, ndërsa falë këtij vendimi që s’dua t’ia ve emrin që ka, shpifësit mund të ndjehen të inkurajuar”, shkruan Rama.