TIRANË- Një 54-vjeçar është arrestuar ditën e sotme me qëllim ekstradimin drejt Italisë, pasi është dënuar për vjedhje e trafik droge në shtetin fqinj.
Në pranga ka rënë K(J). M., 54 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Edhe pse ishte në kërkim ndërkombëtar, 54-vjeçari lëvizte lirisht.
"Vijojnë operacionet për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Kapet dhe arrestohet një 54-vjeçar i shpallur në kërkim, me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Operacioni nga Sektori i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Interpol Tirana.
Nga Seksioni i Kërkimit në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Interpol Tirana, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, në rrugën “Llambi Bonata”, Tiranë u kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim ndërkombëtar K(J). M., 54 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata për Hetimet Paraprake në Verbania/Itali ka lëshuar urdhër arresti për veprat penale “Vjedhja në rrethana rënduese” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë", njofton Policia.