Një 52 vjeçar i divorcuar ka sulmuar në rrugë puntoren e një fabrike këpucësh në Tiranë, duke e prekur atë në vende intime dhe tërhequr për ta çuar në një hotel, me qëllim kryerjen e marëdhënive seksuale me të.

Gjergji Pergjivuka, ka sulmuar shtetasen me inicialet S. P., por kjo e fundit ka mundur ta kundërshtojë me forcë edhe pse është qëlluar me grushta dhe shkelma nga 52-vjeçari. Lidhur me këtë veprim gjykata e Tiranës e ka dënuar Gj. P,me 8 muaj burgim.

Por çuditërisht, ky ngacmues femrash në rrugë është falur nga gjykata, duke i pezulluar dënimin me burg dhe kalimin e 52-vjeçarit në shërbim prove për një periudhe 2 vjeçare. Gjykata, pezullimin e vendimit të dënimit me 8 muaj burg e ka argumentuar me faktin se Gjergji Pergjivuka, nuk përbën rrezik për shoqërinë.

Nga aktet e fashikullit penal të administruar në dosjen gjyqësore rezultoi se shtetasja S.P. ka qenë duke vajtur për në punë në një fabrike këpucësh kur është ndaluar nga i pandehuri Gjergj Pergjivuka me datë 28 maj 2016, rreth orës 06:30.

E dëmtuara edhe pasi është ftuar për kafe e kapur nga dore, është prekur nga gjoksi prej të pandehurit Gjergj Pergjivuka, dhe ka vazhduar rrugën për në vendin e punës.

Në momentin që ajo nuk ka pranuar i pandehuri Gjergj Pergjivuka e ka goditur me grushte në fytyrë e trup të dëmtuarën duke kërkuar prej saj vajtjen në hotel e kryerjen e marrëdhënieve seksuale me të.

Ndërhyrja e policisë
Më pas kanë vajtur shërbimet e policisë gjyqësore të cilët kanë bërë shoqërimin e tyre në komisariat. I pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, i pandehuri Gjergj Pergjivuka ka pranuar që të ketë kryer veprën penale për të cilën dyshohet e në shpjegimet e dhëna prej tij theksohet fakti se ndihet fajtor për çfarë ka ndodhur, pavarësisht se është joshur nga e dëmtuara.

Nga veprimet hetimore të kryera nga ana e prokurorisë provohet se i pandehuri Gjergj Pergjivuka ka kryer veprime të natyrës së ngacmimit seksual, të shoqëruara nga gjeste, fjalë fyese e poshtëruese, duke cënuar në këtë mënyrë të dëmtuarën S.P në personalitetin, dinjitetin e gjendjen shëndetësore të saj.

“Nuk ka rrezikshmëri”
I pandehuri ka mbajtur qëndrim pohues në gjykatë, ka shprehur pendim të thellë, dhe deklarimet e dhëna para gjykatës në seancën gjyqësore krijojnë bindjen tek gjykata se i pandehuri nuk përbën rrezik për shoqërinë, se koha e vuajtur në paraburgim i ka shërbyer edukimit të tij dhe parandalimit të fenomenit.

Prandaj për këto arsye, gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim dhe duke e vënë në provë të pandehurin për një periudhë kohe 2 vjet me qëllim që të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës dhe të mos shoqërohet me persona të dënuar.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com