Tiranë, konferencë e OKB-së për barazinë gjinore, Koçiu: Po rritet pjesëmarrja e grave në politikë e biznes

Tiranë, konferencë e OKB-së për barazinë gjinore, Koçiu: Po rritet pjesëmarrja e grave në politikë e biznes

Albana Kociu

Tirane- Përfaqësues të Kombeve të Bashkuara pohuan sot në Tiranë se fuqizimi i grave dhe barazia gjinore mbeten sfida të përhershme; në disa zona të botës ka përmirësime të ndjeshme, por në disa rajone të tjera gjendja është shumë e rëndë.

Komentet u bënë sot në një konferencë ndërkombëtare, “Mekanizmat efektivë institucionalë për avancimin e barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave: Hartimi i së ardhmes 30 vjet pas Pekinit”, organizuar nga ministria e Shëndetësisë dhe Zyra Rajonale e UN Ëomen për Europën dhe Azinë Qendrore.

Në fjalën e saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh se qeveria shqiptare është plotësisht e përkushtuar ndaj vizionit që u shtrua në Pekin 30 vite më pare.

“Në raportin e Bankës Botërore për “Gruan, Biznesin dhe Ligjin 2024”, thuhet se asnjë prej 190 vendeve të vëzhguara nuk ka arritur barazinë e plotë ligjore për gruan, as edhe vendet më të pasura. Gratë ende gëzojnë vetëm 64% të të drejtave ligjorë të burrave dhe botërisht, ato ende fitojnë vetëm 77 cent për çdo dollar të fituar nga burrat. Mbyllja e këtij hendeku do të rriste Prodhimin e Brendshëm Bruto të botës me mbi 20%, në disa rajone edhe më tepër… Nevojitet një rinovim i angazhimit tonë kolektiv ndaj Axhendës së Pekinit +30”.  Shqipëria është plotësisht e përkushtuar ndaj këtij vizioni”, deklaroi ajo.

Ministrja përmendi rritjen e vazhdueshme të numrit të grave dhe vajzave në administratën e lartë shtetërore, parlament dhe qeveri

Një progres i rëndësishëm është realizuar në drejtim të përfaqësimit politik me 55% të posteve ministrore të mbajtura nga gratë, Shqipëria renditet midis 10 vendeve të para në botë në këtë drejtim. Pjesëmarrja e grave në politikë, biznes dhe sektorë të dominuar tradicionalisht nga burrat, përfshirë mbrojtja dhe diplomacia, është rritur vazhdimisht”, nënvizoi Koçiu.

Ndërkohë veprimtaret e të drejtave të njeriut janë skeptike për diferencën e madhe mes shifrave të pushtetit qendror dhe atij vendor.

Ines leskaj, përfaqësuese e Rrjetit për Fuqizimin e Gruas, tha për Zërin e Amerikës se në nivel vendor mungon zëri i grave nga qyteti dhe nga fshati, si dhe mungon demokracia e brendshme të partive politike sa u takon çështjeve gjinore.

“Ndryshe nga shifrat, çështja është sa këto gra lejohen të jenë përfaqësuese, sa këto parti lejojnë gratë të ngrenë zërin, sa këto parti i shtyjnë gratë të mos jenë thjesht një karton i ngritur në emër të kryetarit të partisë. Të gjitha këto çështje në thelb kanë demokracinë e brendshme, ku nisur nga statuti i partisë, ku mungon përfaqësimi i duhur i grave. Duket sikur gratë vazhdojnë të mbeten një numër për hir të ligjeve”, tha zonja Leskaj.

Drejtoresha rajonale e UNWomen për Evropën dhe Azinë, Belen Sanz Luque, tha se 3 dekadat e fundit pas platformës së Pekinit është arritur përparim sa i takon pjesëmarrjes së grave në vendimmarrjen publike dhe në ekonomi

“Përherë e më shumë po bëhen ligje kundër diskriminimit dhe dhunës kundër grave e vajzave. Përherë e më shumë vajza po shkojnë në shkolla dhe po i përfundojnë ato. Bota sot ka shumë sfida, por ne po ndërtojmë një shpresë, megjithatë ende ka edhe shumë zona të tjera në botë, ku përparimi është mjaft i ulët”, tha Belen Sanz Luque Drejtore Rajonale e UN Women për Europën dhe Azinë Qendrore

Të pranishëm në konferencë ishin dhe ministra e zyrtarë të nivelit të lartë nga Këshilli i Europës, Spanja, Kanadaja, Gjeorgjia, Taxhikistani, Kosova, Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina.

Gjatë këtij aktiviteti i cili shënon 30 vjetorin e Deklaratës së Pekinit dhe Platformës për Veprim (Beijing Declaration and Platform for Action), një plan botëror për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave u diskutua për strategjitë për forcimin e mekanizmave institucionalë për avancimin e barazisë gjinore, ndërtimin e partneriteteve dhe ndarjen e praktikave efektive.

E miratuar në vitin 1995, Platforma për Veprim e Pekinit (BPfA) konsiderohet si një agjendë themelore për fuqizimin e grave, e njohur globalisht si një parakusht për arritjen e barazisë, zhvillimit dhe paqes.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë