Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, prezantoi sot programin e tij për shtresat në nevojë, në qendrën sociale të Laprakës, në prani të shumë qytetarëve që përfitojnë shërbime aty.
Kosova theksoi se, shtresat në nevojë do të jenë prioritet i punës së tij dhe se ai do të shtojë numrin e qendrave sociale e do të përmirësojë shërbimin. Gjithashtu, ai premtoi se do të vendosë në Tiranë mensa për ushqim falas, por ai siguroi se personat në nevojë do trajtohen me dinjitet, me ushqim bio të fshatrave të Tiranës, dhe nuk do trajtohen me lëmoshë nga tepricat e marketeve apo restoranteve.
"Ajo që ne mendojmë në Bashkinë e ardhshme të Tiranës, është që sa më pranë jush shërbime sociale dhe pa vonesa njerëzve në nevojë të cilës ju i përkisni. Në qytet do të ketë dy qendra sociale pranë zonave më në nevojë dhe tre qendra sociale multidisiplinore. Gjithashtu, në çdo komunë do ketë një qendër sociale, sepse varfëria e ka kapur vendin cep më cep, nuk është se është vetëm në një lagjie, në dy lagje, po është në çdo cep të Tiranës, të cilën unë e kam prekur, e kam parë", tha Kosova.
Duke shpjeguar më tej programin e tij, kandidati për kryebashkiak tha se, "E para që ne kemi ndërmend është krijimi i kushteve për riintegrimin në tregun e punës dhe në jetën sociale të personave që nuk përfitojnë nga ndihma ekonomike. Ndërtim, riorganizim i qendrave sociale duke përfituar pavarësi financiare, duke i rritur shërbimet dhe nxitur integrimin e personave në nevojë në tregun e punës dhe jetën sociale të vendit. Gjithashtu, kemi parashikuar ndihmë për moshën e tretë, si në shpërndarjen e ilaçeve, pagesat e faturave, nëpërmjet të rinjve vullnetarë, mbështetja në forma indirekte, si përshembull heqjen e detyrimit për tarifa të ndryshme të pushtetit vendor, tarifa e pastrimit etj, që ekzistojnë faktikisht në letër, për mbi 12.000 familje që përfitojnë nga skemat e ndihmës sociale".
"Kurrë nuk mund të gëzojë asnjë gjë në qytet  kur një shtresë e madhe, një pjesë e popullsisë është në kushte varfërie ekstreme. Humanizmin që unë kam pasur për ju në sektorin shëndetësor, tani kam mundësi që ta kthej edhe në jetën e përditshme dhe këtë, me të njëjtin përkushtim, me të njëjtën vendosmëri, të jeni të sigurtë që do të jem një ndër njerëzit më pranë jush", u shpreh Kosova. Ai i siguroi personat në nevojë se shqetësimet e tyre shëndetësore do ti marrë ai përsipër dhe do të japë çdo zgjidhje të mundshme. /atsh/