Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar për takimin e zhvilluar këtë të enjte në Tiranë me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, me të cilën thotë se ka diskutuar për situatën dhe sfidat me të cilat përballet komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës.

Postim i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha:

Pata kënaqësinë të pres sot në takim Kryetaren e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani. Biseduam hapur për situatën, problematikat dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Shqipëria mbetet tërësisht e përkushtuar për të mbështetur dhe mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginë.

Institucionet shqiptare do të vijojnë të ndjekin me vëmendje situatën e shqiptarëve atje dhe mbeten të angazhuara në mënyrë të vazhdueshme, si në dialogun dypalësh ashtu edhe në forumet ndërkombëtare, për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre legjitime, për të adresuar çështjet që i shqetësojnë dhe për të nxitur politika që garantojnë barazi, respekt dhe mundësi të drejta, si dhe që zëri i tyre të dëgjohet kudo ku mbrohen të drejtat e njeriut dhe të komuniteteve.

Respektimi i të drejtave të njeriut, i identitetit kombëtar, i gjuhës dhe i përfaqësimit të drejtë institucional është thelbësor për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

Mbështetja për zhvillimin ekonomik, arsimor dhe kulturor të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës mbetet një prioritet i rëndësishëm.

Shqipëria do të vazhdojë të punojë ngushtë me përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginë dhe me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar barazi, dinjitet dhe perspektivë për të ardhmen e tyre.