Tiranë- Kundërshtuan ARRSH-në dhe Policinë në krye të detyrës, një i arrestuar dhe 2 të tjerë, të afërm të tij, procedohen në gjendje të lirë.
I arrestuari është H.K., 27 vjeç, i cili në një moment përplasjeje, pasi ka kundërshtuar uniformat blu me forcë, ka tentuar të dëmtojë veten duke hedhur në trup lëndë të dyshuar djegëse, por pa i vënë flakën, sepse u ndalua nga Policia në kohë.
Ngjarja ka ndodhur në kryeqytet, teksa punonjësit e një firme kontraktuese ishin duke kryer punime për vendosjen e një shtylle tensioni në një aks rrugor, duke e vendosur në një sipërfaqe toke që ishte zaptuar në mënyrë të paligjshme.
Por të dyshuarit, teksa kanë pretenduar se ishte toka e tyre dhe nuk mund të vendosej, janë konfliktuar me punonjësit.
Në mbështetje të firmës dhe ARRSH kanë shkuar menjëherë uniformat blu dhe pas ndalimit të 27-vjeçarit morën nën procedim pas shoqërimit edhe A. K., 30 vjeç dhe H. K., 62 vjeç, familjarë të tij.