Tirane- Nisi sot (28 dhjetor) shpërndarja e aboneve falas për pensionistët e kryeqytetit, e cila do të përdoret nga 1 janari 2025.
Me kartën e identitetit dhe me një fotografi në dorë, me dhjetëra pensionistë u paraqitën pranë 5 pikave në Tiranë, për tu pajisur për herë të parë me abone falas, e cila tërhiqet vetëm prej tyre dhe jo nga të afërmit.
Pensionistët shprehen pozitivisht për këtë nismë pasi thonë se u kursen para por propozojnë që aboneja të jetë vjetore e jo mujore.
Më parë, qytetarët duhet fillimisht të shkojnë pranë njësive administrative ku banojnë për të bërë regjistrimin në portalin e përfitimit të së drejtës me Abone Pensionisti.
Vendimi që pensionistët të marrin abonenë falas u mor më 18 dhjetor nga Këshilli Bashkiak Tiranë, dhe pritet të përfitojnë 177 mijë qytetar, gratë që kanë mbushur moshën 60 vjeç dhe burrat të cilët kanë mbushur moshën 65 vjeç.
Me këtë lehtësi qytetarët kursejnë 1200 lekë nëse duan të pajisen me abone linje ose 1600 lekë kur blejnë abonenë e përgjithshme, apo kursejnë 40 lekë për çdo udhëtim me urban në Tiranë.
Janë 177 mijë pensionistë që prietet të përfitojnë nga vendimi i Bashkisë së Tiranës që u miratua në këshill bashkiak më 18 dhjetor 2024.
Si bëhet aplikimi?
-Përfitues do të jenë të gjithë personat banues në Bashkinë e Tiranës, femrat që kanë mbushur moshën 60 vjeç dhe meshkujt të cilët kanë mbushur moshën 65 vjeç.
-Qytetarët paraqiten pranë njësive adminstrative respektive ku banojnë, me kartën e identitetit me qëllim regjistrimin në portalin e përfitimit të së drejtës me Abone Pensionisti.
-Qytetarët tashmë të regjistruar në portalin e përfitimit të Abonesë së Pensionistit, duhet të paraqiten çdo fund muaji për të përfituar abonenë e pensionistit për muajin pasardhës në pikat përkatëse të shpërndarjes me kartën e identitetit dhe foto.
-Pajisja e qytetarëve përfitues me Abone Pensionisti, pranë pikave të shpërndarjes së aboneve të pensionistit, bëhet e shoqëruar me foto dhe plotësohet me emrin dhe mbiemrin e mbajtësit. Pikat janë ato të autorizuara nga Bashkia.
-Gjatë udhëtimit në mjetet e shërbimit të transportit publik qytetas përfituesit duhen të kenë me vete Abonenë e Pensionistit dhe Kartën e Identitetit.