Tiranë, përleshje tregtarë-polici
te  “Uzina Dinamo”, 2 të lëndua

Tiranë, përleshje tregtarë-polici<br />te  “Uzina Dinamo”, 2 të lëndua
TIRANE -  Përleshje fizike dhe me sende mes tregtarëve dhe policisë bashkiake te tregu i "Uzinës Dinamo" në Tiranë.

Ora 01:00 -  Hapet tregu te ish-Uzina Dinamo pas negociatave midis Bernard Çaushaj, drejtori i policisë së Tiranës dhe Vullnet Topallit, drejtor i policisë bashkiake. Sot pritet që dhe Ministria e Shëndetësisë të bëjë kontrolle në këtë treg.

Kjo pas vendimit për bllokimin e tregut më të madh të fruta-perimeve të kryeqytetit në orë të vona të ditës së sotme (rreth orës 22:30) nga policia bashkiake e Tiranës.

Nga përleshjet, edhe me goditje karrigesh apo trupore mes dy palëve, bëhet e ditur se kanë mbetur 2 të lënduar, ndërsa është dëmtuar edhe një makinë policie, të cilës i janë thyer edhe xhamat. Situata ka bërë të shkojnë aty veç policisë bashkiake dhe ajo  e rendit.

Siç informojnë tregtarët para kamerës së "A1 Report", policët bashkiakë janë paraqitur papritur në treg dhe pa një dokument, urdhër përkatës kanë kërkuar largimin e tregtarëve nga pika numër 1 e furnizimit të gjithë minitregjeve të qytetit me fruta-perime.

Policët, të cilët kanë urdhër nga kreu i Policisë Bashkiake, Vullnet Topalli të mos zmbrapsen, po u kërkojnë me këmbëngulje tregtarëve të nxjerrin jashtë prodhimet e tyre, pasi ky treg është transferuar në autostradë. "Në katund" - u ankua një tregtar.

Por një pretendim tjetër i policisë është edhe shkelja e kushteve higjieno-sanitare, të cilat në atë treg lënë shumë për të dëshiruar.

Policia me këto pretendime më pas nuk ka lejuar futjen e vargut të automjeteve me mallra në treg, ndërkohë që rreth orës 01:00 të natës pritet një rritje e fluksit të tregtarëve më të vegjël, që vijnë të furnizohen aty.

Veç kësaj, tregtarët nisën të ankohen se mallrat po iu prisheshin dhe bashkisë do t'i duhet t'u paguajë dëmet.

Janë jo pak, por 7 shoqata tregtarësh te Uzina Dinamo, të cilat janë bërë bashkë dhe po kundërshtojnë vendimin e Bashkisë së Tiranës, duke theksuar se ka një vendim mbylljeje të tregut nga policia, e cila pretendon se ka ekzekutuar një vendim të Institutit të Higjienës. "Por në fakt nëse ka një urdhër të tillë higjiene, të na e paraqesin, pasi të paraqitesh kështu s'është as profesionale”, thonë tregtarët duke shtuar se "nëse dikush ka një shkelje të normave të higjienës duhet të penalizohet ai, por jo gjithë tregu, jo qiradhënësit". 

Përfaqësuesi i tregtarëve, Emin Balliu, shpjegon për Tv “A1 Report” se janë 500 biznese me licenca, të cilët paguajnë taksat dhe detyrimet ndaj shtetit: “Vendimi i Bashkisë është i papritur, na rrethuan me polici, pa paralajmërim”, u shpreh Balliu.

Sipas tregtarëve, që u prononcuan për 'A1 Report", "kjo bëhet për qëllime klienteliste, pasi ka tregje të tjera agro-ushqimore që duan të marrin tregun tonë". "Ç'politikë punësimi bën kryetari i bashkisë, duke na përzënë ne?! Këtu është buka e kalamajve tanë. Ushqehen 6000 vetë këtu", thotë një tregtar. 

Drejtor i tregtarëve agro-ushqimorë, Theodhori Suli theksoi se kemi 8 muaj që kërkojmë nëpër ministri të drejtën tonë, por ngjarja e fundit ishte kulmi, pasi erdhën edhe pa një vendim përkatës. Kjo është e patolerueshme dhe ne do ndjekim instancat më të larta".

Lajmi u publikua fillimisht në orën 22:30 të datës 16 Shtator dhe u përditësua në orën 01:40 datë 17 Shtator

Redaksia Online
(mag/e.s/a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Pamje nga mali i Çajupit, Rama: Transumanca pasuri e UNESCO

Pamje nga mali i Çajupit, Rama: Transumanca pasuri e UNESCO