TIRANE- Drejtuesve të automjeteve për të përshkruar 300 metra rrugë u duhet të paktën 5 minuta, në mënyrë që të evitojnë gropat, ndërkohë që qytetarët duhet të zgjedhin rrugën në mënyrë që të mos përfundojnë në baltë. Kjo është situata në një pjesë të mirë të rrugëve të kryeqytetit të cilat ose nuk janë riparuar, ose pas riparimit kanë sërish nevojë për mirëmbajtje. Një prej tyre është rruga që të çon drejt Selitës, e cila prej vitesh nuk është rinonstruktuar, pavarësisht se në të ka një numër të madh automjetesh dhe këmbësorësh që kalojnë, për shkak se bën edhe lidhjen me Unazën e Re.

Banorët e zonës thonë se është vetëm një distancë e shkurtër e cila përgjatë dimrit sjell vetëm baltë, kurse gjatë stinës së verës vetëm pluhur. Kurse drejtuesit e automjeteve pohojnë se në të shumtën e rasteve mundohen të kalojnë në të tjera rrugë alternative duke përshkruar një distancë më të gjatë. Por situata nuk është e tillë vetëm në këtë pjesë të kryeqytetit, duket sikur të njëjtat probleme kanë edhe banorët të cilët jetojnë në afërsi të Universitetit Politeknik, pranë Sheshit “Frederik Shopen”. Edhe këtu banorët ankohen për mungesë të investimeve prej vitesh. “Rruga është gjithmonë me baltë dhe gropat të mbushura me ujë.

Jemi duke bërë akrobaci, se në një krah nuk duam të lagemi nga makinat, e ndërkohë duhet të zgjedhim rrugën. Jetojmë në mes të kryeqytetit por rrugët duket sikur jetojnë në ndonjë fshat”, pohon një banore e zonës. Po kështu, rrugë me gropa konstatojmë edhe në zonën e Xhamllikut, pranë shkollës “Vasil Shanto” etj. Ndërkohë që situata në rrugë paraqitet e tillë, Bashkia e Tiranës në buxhetin afatmesëm të saj ka parashikuar investime në 120 njësi të ndryshme, ndërkohë që nuk kanë harruar të përfshijnë edhe ndërtimin e Tramvajit, pikërisht të dy linjave të tij. Po kështu në investimet e buxhetit parashikohet edhe ndërtimi i terminaleve të transportit multifunksionalë.

Por duket se këto projekte janë paraqitur edhe gjatë dy viteve të kaluara, por për to nuk është bërë asnjë investim. Këtë vit është parashikuar që të ndërtohet terminali multimodal i pasagjerëve me një sipërfaqe prej 85 mijë metër katrorë, ku do të mbulojë gjithë trafikun inter-urban të Shqipërisë perëndimore dhe jugperëndimore që ze 75% të fluksit të udhëtarëve. Ky terminal do të ndërtohet në afërsi të mbikalimit të superstradës Tiranë-Durrës dhe parashikon qëndrimin e linjave të autobusëve, minibusëve, furgonave, taksi dhe në të ardhmen për tramvajin.          
 
Shkrimi u publikua sot (11.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)