Tiranë - Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së kryeqytetit për shitje të lëndëve narkotike.

Sipas njoftimit të bluve bëhet me dije se 23 dhe 33 vjeçari dyshohet se shisnin kokainë në lokalet e zonës së Komunës së Parisit.

Blutë sekuestruan 250 gramë kokainë, 2 celularë dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës intensive për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin “Target”.   

Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. V., 23 vjeç dhe E. Dh.(K.), 33 vjeç, të dy banues në Tiranë.  

Këta shtetas u kapën në zonën e Komunës së Parisit, me 250 gramë lëndë narkotike të dyshuar Kokainë, të cilën dyshohet se do ta shisnin në lokalet e kësaj zone.   

Vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.