TIRANË - Një 28-vjeçar është arrestuar nga policia e kryeqytetit si i dyshuar për posedimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Operacioni, i realizuar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, u zhvillua pas sigurimit të informacioneve operative se në rrugën “Bakalli” një person shiste doza kokaine.
Gjatë ndërhyrjes, shtetasi Jashar Shima, 28 vjeç, tentoi të shpërbënte një dozë kokaine sapo vërejti forcat e Policisë. Pas kontrollit fizik dhe atij në banesën e tij, u sekuestruan doza të lëndës narkotike kokainë dhe rreth 800 gramë lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa.
'Në rrugën “Bakalli”, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë për kapjen e shtetasit J. Sh., i cili sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka shpërbërë një dozë lënde të dyshuar narkotike kokainë. Gjatë kontrollit fizik ndaj 28-vjeçarit dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë dhe rreth 800 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, që dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen.', njofton policia.
Policia vazhdon hetimet për të identifikuar dhe arrestuar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.