TIRANË- Një grua 42-vjeçare u arrestua pasi mashtronte shitësit e dyqaneve në Tiranë duke blerë produkte pa paguar me pretendimin se ishte punonjëse policie dhe funksionare në institucione të ndryshme. Operacioni “Premtimi” vuri në pranga gruan Elvira Lani  e cila u paraqiste shitësve dokumente të ndryshme, ndërsa kishte edhe radio si të policisë.

Ajo u arrestua në flagrancë pas denoncimeve të disa pronarëve të dyqaneve se gruaja u merrte produkte me mashtrim duke thënë se do i paguante në një moment të dytë. 42-vjeçarja kishte edhe pasaportë false diplomatike, distinktiv dhe dokumente të tjera institucionesh.

"Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, nisur nga kallëzimet e bëra nga disa pronarë dyqanesh për një shtetase që merrte produkte të ndryshme dhe nuk bënte pagesën, me pretendimin se ishte punonjëse policie ose funksionare në institucione të ndryshme shtetërore, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Premtuesi ”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasja:  E. L., 42 vjeçe, banuese në Tiranë.

Kjo shtetase, duke u prezantuar si punonjëse policie apo me funksione në institucione të ndryshme shtetërore, shkonte në dyqane të ndryshme dhe merrte artikuj të ndryshëm pa bërë pagesën ose me justifikimin se do të paguante më vonë.  

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një radio e ngjashme me atë të punonjësve të Policisë, pasaporta dhe dokumente të ndryshme identifikimi, një distinktiv dhe sende të tjera të kundërligjshme.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi“ dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”", njofton policia. 

Elvira Lami dhe dokumentet e fallsifikuara
 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:44
FOTO/ Kush është 42 vjeçarja që hiqej si police e merrte artikuj pa pagesë! Ishte Drejtoreshë e Përgjithshme në Agjencinë 'Stop Krimi'

Report Tv mëson se 42-vjeçarja e arrestuar ditën e sotme se shkonte në dyqane dhe merrte artikuj pa pagesë me justifikimin se do i paguante më vonë është Elvira Lani . Report Tv ka siguruar foton. Lani është drejtoreshë e Përgjithshme e Koordinimit te Agjensia Investigative 'Stop Krimi', një OJF.