Policia e Tiranës ka goditur një rast të kontrabandës së mallrave. Në pranga ka rënë një 26-vjeçar, teksa në kërkim janë shpallur dy bashkëpunëtorët e tij.

Gjatë kontrollit në automjetin e të riut në afërsi të Kamzës, blutë gjetën në baterinë e makinës 524 gramë flori.

Gjithashtu, në automjet u gjetën veshje të ndryshme, paketa cigaresh, dy makina qepëse etj.

Njoftimi i plotë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Diversity” duke goditur një rast të kontrabandës së mallrave.

Në afërsi të Kamzës, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin që drejtohej nga shtetasi E. K. Gjatë kontrollit të automjetit, iu gjetën të fshehura në baterinë e automjetit 524 gramë flori. Gjithashtu, në automjet u gjetën veshje të ndryshme, paketa cigaresh, dy makina qepëse, si dhe sende e pajisje të tjera.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi E. K., 26 vjeç, ndërsa u shpallën në kërkim shtetasit F. K. dhe M. G.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se shtetasi E. K., në bashkëpunim me shtetasit F. K. dhe M. G., kanë futur në territorin e Republikës së Shqipërisë mallrat e sipërpërmendura në mënyrë të kundërligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

______________

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë