TIRANË - Humbi jetën në ambientet e Spitalit Ushtarak 22-vjeçari Erjon Lilaj i cili u plagos nga dy persona pasditen e djeshme rreth orës 16:30 në rrugën "Siri Kodra". 22-vjeçari nuk arriti t'i mbijetonte plagëve të marra me thikë dhe humbi jetën disa orë pas ngjarjes në spital.

Ndërkohë që policia arrestoi babë e bir të dyshuar si autorë të vrasjes dhe shpalli në kërkim djalin e dytë të familjes Lata. Në prangat e policisë janë Sherif Lata 52 vjeç, dhe Besard Lata 27 vjeç ndërsa në kërkim Sebastjan Latën 23 vjeç.

BABAI: MA VRANE PARA DERES SE SHTEPISE

Për babanë e Erjonit vrasja është tepër e rëndë, aq më tepër kur krimi ndodhi përpara derës së shtëpisë së tij. “Të të vrasin djalin përpara derës së shtëpisë është vërtetë bombë. Jemi shumë të tronditur. Mirë që rrimë në këmbë. Është një ngjarje tepër e rëndë, ishte 22 vjeç. Nuk mund ta harrojmë”- thotë Ismail Lilaj, babai i 22-vjeçarit në një intervistë për gazetarin Arsen Rusta të tv A1 Report. 

I ati kujton puthjen e fundit që i ka dhënë Erjonit kur po luftonte me vdekjen në Spital ushtarak.
“Mjekët qëndruan më shumë se 6 orë në operacion për t’i shpëtuar jetën. Më lanë ta takoj, ta puth. Doktorët nuk më dhanë asnjë shpresë, vetëm më thanë Zoti e ndihmoftë por është në gjendje kritike”- kujton Ismaili i cili shton se nuk kishte arritur të fliste asnjë fjalë me djalin e tij.

ismail lilaj logo
(Në foto Ismail Lilaj, babai i djalit të vrarë)

22 VJECARI U GODIT PER NJE GERVISHTJE MAKINE

Erjon Lilaj u plagos pasditen e djeshme pas një sherri për motive te dobëta. 22-vjeçari nga Burreli ishte thirrur nga dy persona për t’u sqaruar për një zënkë të mëparshme dhe aty e kanë qëlluar me thikë duke e lënë të plagosur rëndë. Nga dëshmitarë të ngjarjes bëhet e ditur se zënka mund të ketë pasur shkak një gërvishtje makine. Policia e Tiranës ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me vrasjen. (ora 12: 57)

Dy autorët e krimit u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes me anë të një automjeti më targa të huaja. Policia arriti të arrestonte disa orë më vonë babë e bir ndërsa shpalli në kërkim djalin e dytë të familjes Lata, Sebastjan Lata 23 vjeç.

Lajmi fillimisht u publikua në orën 18:25 dhe më pas u përditësua në orën 23:50, të 17 janarit. Përditësimi i fundit në orën 12:59 të 18 janarit.

Redaksia Online
(jd/Gre.M/b.m/Shqiptarja.com)