Një 46-vjeçar në Tiranë është gjetur i vrarë me armë zjarri brenda makinës së tij në rrugën "Mihal Popi."

Autoritetet kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku brenda makinës tip 'Volvo' në zonën e stadiumit "Selman Stermasi" është gjetur Ismet Habili. Plumbi është gjendur në pjesën e gojës dhe prej andej ka dalë në kokë.

Raportohet se është dëgjuar vetëm një e shtënë. Banorët e zonës thonë se kanë dëgjuar vetëm përplasjen e makinës. Ka qenë një qytetar i cili ka njoftuar policinë pasi e ka gjetur automjetin të dëmtuar duke menduar se bëhej fjalë për një aksident.

Në vendngjarje ka mbërritur edhe i biri, i cili mes lotësh thërret "Ku e kam plakun?"

Viktima, me origjinë nga Kavaja, nuk rezulton me precedent penal. Policia i ka hapur edhe celularin, ndërsa po shihen edhe kamerat e sigurisë në zonë. Brenda në makinë është gjetur edhe arma.

Trupi po dërgohet për ekzaminime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Informacion shtesë

Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, për ngjarjen e ndodhur në rrugën “Mihal Popi”, ku u gjet pa shenja jete, brenda automjetit, shtetasi I. H., ju bëjmë me dije se:

Gjatë kontrollit në automjet, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe një gëzhojë.

Nga veprimet e para hetimore dhe procedurale të kryera, dyshohet se shtetasi I. H., 46 vjeç, mund të jetë vetëvrarë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rastit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:37
Tiranë/ 46-vjeçari u gjet i vrarë në makinë, thirrjet e dhimbshme të djalit: Ku e kam babën? (VIDEO)

Djali i viktimës Ismet Habili, i cili është gjetur i vrarë me armë zjarri në makinën e tij pranë stadiumit “Selman Stermasi” në Tiranë, pak minuta më parë, ka mbërritur i tronditur në vendngjarje.

Në pamjet e siguruara nga Report Tv, dëgjohen britmat e 18-vjeçarit që kërkon të atin.

“Ku është plaku? Ku është baba im? Ikni! Ku e kam babën? Ku është babi?”, thërret ai duke shtyrë të tjerët që përpiqen ta qetësojnë.