TIRANE - Gjykata e Tiranës ka ndryshuar masën e "arrestit me burg" në "arrest shtëpie" për Flamur Ymerin i prangosur më 17 dhjetor pasi vrau në banesën e tij Andan Lulin dhe Ervin Shabën, të cilët të maskuar i kishin hyrë në banesë, dhe që dyshohet se kishin hyrë për grabitje.

Pas arretimit Ymeri i njohur dhe si "Mul Topalli" deklaroi se vrau dy të rinjtë pasi ata e kërcënuan me grabitje, ndërsa Prokuroria këtë të enjte është tërhequr nga "arresti me burg" duke kërkuar "arrest shtëpie".

Prokuroria hetoi për dy muaj dhe në pistën e vrasjes për një konflikt të mëparshëm por pas dy masave arrest me burg 30 ditë, Flamur Ymeri fiton lirinë dhe shkak i vrasjes të dy të rinjve është ai i vetëmbrojties ka argumentuar gjykata.

Vjedhja e Blendi Gonxhes
Adnan Luli, njëri prej viktimave që u ekzekutua nga Flamur Ymeri në Selitë, dyshohet se është njëri prej grabitësve të familjes së Blendi Gonxhes. Burime nga prokuroria thanë se djali i ish-nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, pas publikimit të fotos së viktimës në media, ka pretenduar se ai është njëri prej grabitësve që kishin hyrë me dhunë në banesën e tyre. Dëshmia e djalit mësohet se është administruar në dosje nga prokuroria. Por, sipas prokurorisë, edhe nëse faktohet që Adnan Luli ka marrë pjesë në vjedhjen e banesës së Gonxhes, kjo çështje do të pushohet, pasi autori, nëse ka qënë ai, tashmë ka vdekur.

Rrëfimi II i Ymerit
Në kushtet kur, gjatë hetimeve, kanë dalë prova të reja, prokurorët dhe oficerët kanë rimarrë në pyetje për herë të dytë Flamur Ymerin. Sipas rrëfimit të këtij të fundit, ai ka treguar: ”…Kam qenë në dhomën e katit të parë, përballë derës së dhomës, ku u gjet njëri nga viktimat. Gruaja ishte në koridor. Dëgjova zhurmë dhe zëra që i kërkonin bashkëshortes të dinin se ku isha unë. U fsheha fillimisht pas murit të dhomës, pasi dera ishte e hapur.

Gruaja i tha që ndodhesha në katin e dytë në gjumë. Në momentin që njëri prej tyre hyri te dhoma përballë, tjetri po i mbante pistoletën gruas te koka dhe tentoi të hipte shkallëve. Sapo është afruar te dera, ku isha unë, e kam shtyrë atë dhe gruan. Me pistoletë e qëllova personin që kishte hyrë në dhomën përballë dhe më pas në drejtim të kokës së personit që e kisha rrëzuar në koridor. Në këtë kohë, kam qëlluar dhe personin e dytë. Më zuri gjaku dhe nuk mbaj mend çfarë kam bërë, pasi edhe një pistoletë që e kisha në dorë nuk e di ku e kam fshehur”.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)