At Sebastian Vazhkala drejtuesi i misionit “Vëllezër të Nënë Terezës” që prej kohësh u gjendet pranë familjeve dhe personave në nevojë në zonën e Bushatit në Shkodër është nderuar me titullin e lartë “Nënë Tereza” nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.
 
Ceremonia e dorëzimit të këtij titulli të lartë është zhvilluar në Kishën e Bushatit, më prezencën e autoriteteve më të larta fetare e civile.

Presidenti Nishani gjatë fjalës së tij theksoi se ky titull dëshmon mirënjohjen dhe respektin e shtetit shqiptar ndaj Vazhkalës, i cili ka dhënë kontribut të pacmueshëm në shërbim të njerëzve në nevojë në zonën e Nënshkodrës.
 
“Nënë Tereza jonë e shtrenjtë, përpos mësimeve të urta të panumërta, duke na udhëhequr me shembullin dhe përvojën e saj vetjake, na ka rrënjosur në kokë e në loçkë të zemrës edhe postulatin: “Kryeni vepra bamirësie të vogla çdo ditë, por me dashuri të madhe”! Mes nesh kemi dikë, që e meriton vërtet të quhet me shkronja të mëdha NJERI, - At Sebastianin, i cili me punën e tij të palodhur, me fisnikërinë dhe altruizmin, me shërbimin e tij të painteres, ka ngritur lart në qiell jo vetëm emrin, personalitetin dhe kujtimin e misionares dhe bamirëses shqiptare, Nënë Tereza, por edhe të vetes si dhe të asaj çka përfaqëson qartësisht”, u shpreh kreu i shtetit.
 
Në këtë veprimtari ishin të pranishëm edhe Nunci Apostolik Imzot Ramiro Moliner Ingles, Arqipeshkvi i Shkodër-Pultit dhe Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare Imzot Angelo Massafra, Kryetari i Komunës Bushati Zef Hila, dhe mjaft klerikë e banorë të shumtë të zonës.
 
Presidenti i Republikës i akordoi Dekoratën “Nënë Tereza” At Sebastian Vazhakala për kontributin, ndihmesën e paçmueshme dhe përkujdesjen altruiste për të pamundurit e të pafatët, si dhe për thjeshtësinë dhe përulësinë njerëzore që e karakterizon gjatë veprave të tij bamirëse, duke iu afruar vetive të një engjëlli mbrojtës dhe shenjti tokësor”.
 
At Sebastian Vazhakala lindi në Vayla në Indi në vitin 1942. Roli i tij në ndihmë të njerëzve do të vihej në dukje pas takimit që ai do të kishte me Nënë Terezën me 30 Nëntor të vitit 1960. Ai vijon aktivitetin e tij në Shqipëri që prej vitit 2006.
 
Në përfundim të vizitës në Bushat Presidenti Nishani vizitoi edhe shtëpinë “Bethel” – “Shtëpinë e Zotit”, strehën e Misionarëve të Dashunisë, ku u takua përzemërsisht dhe u njoh nga afër me të pafatët që janë strehuar aty dhe me personelin që përkujdeset për ta nën drejtimin e At Sebastianit.

Fjala e presidentit Nishani
 
Të nderuar të pranishëm,
 
Trualli ku sot po qëndrojmë fort e të palëkundur, më krenarë se kurrë më parë, aty ku “balta na duket më ëmbël se mjalta” ka qenë dhe do të mbetet përjetësisht i gdhendur në histori si toka e Nënë Terezës. Nëpërmjet lumturimit të gruas ndoshta më të famshme të rruzullit tonë, të bijës më të papërlyer e më të përkryer të kombit shqiptar, Nënë Terezës shtatvogël, por me vepra të mëdha, më 19 tetor të vitit 2003 Papa Gjon Pali i Dytë çeli dyert e një tjetër realiteti shpirtëror. Bëmat e saj ashtu të thjeshta e të heshtura, por ama të përditshme përfaqësonin rrezen e dritës shpresëdhënëse, ndryshonin jetët, ndoshta edhe historinë e mëvonshme të njerëzimit, shumë më tepër nga gjestet, fjalimet, e retorikat boshe e të çastit të disa politikanëve apo drejtuesve të çfarëdolloji në këtë jetë të përkohshme vdekatarësh apo edhe mëkatarësh e plot tundime.
 
At Sebastiani qëndron përpara nesh me thjeshtësinë e përunjësinë e një shërbyesi kokulur të njerëzimit, duke qenë se ai ka ngritur nga themelet dhe drejton shtëpi të panumërta bamirësie me dhe nën frymën dhe filozofinë jetësore të Nënë Terezës në Shqipëri dhe anembanë botës.
 
Por sot mund të pohoj këtu para jush si dhe para kujtdo që ka veshë të dëgjojë, sy të shikojë e zemër të ndiejë, se ai ka ecur besnikërisht e pa asnjë fije hezitimi apo shmangieje në gjurmët e saj dhe ka mbushur zbrazëtinë dhe nevojën e jashtëzakonshme të mbarë njerëzimit që la pas ikja e asaj Nëne të të gjithëve ne, pa dallim race, kombësie apo feje.
 
Ati i mirë dhe i paqtë ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë duke dhënë një ndihmë të paçmueshme për të varfrit e më të varfërve, për më të pafatët e të pafatëve, për më të pamundurit e të pamundurve, mes nesh. Pa marrë kurrgjë në shkëmbim, përveç ndoshta një fjalë falënderues, ndonjë buzëqeshjeje të vakët mirënjohjeje apo ndonjë shtrëngim të butë dore nga më të varfrit e të varfërve, nga më të mjeruarit e të mjerëve, nga ata shqiptarë të mirë, por të pafat, të cilët ndoshta shumica prej nesh nuk ua hedhim as sytë kur i ndeshim në rrugë... Por jo At Sebastiani! Jo! Asesi, në asnjë mënyrë dhe nuk kishte gjasa që të ndodhë ndryshe. At Sebastiani po përmbush më së miri në Shqipëri, atë që Nënë Tereza bëri për dekada me radhë në Kalkutën e largët dhe në çdo cep tjetër të mjeruar të botës. Sepse mbi të gjitha ai është një nga nxënësit es aj të shumtë, bashkëpunëtori më i afërt përgjatë tridhjetë viteve në Indi e kudo tjetër, pasuesi, dishepulli i saj.
 
Ndoshta ai nuk është pikërisht zëvendësuesi i Nënë Terezës, por mbetet patjetër njeriu që ka pasur më tepër mundësi të prekë duart e saj bamirëse, të ndiejë ngrohtësinë e syve të saj të engjëllorë, të dëgjojë tingëllimën e zërit të saj të butë, e të provojë, shikojë e dëshmojë më së pari zemërgjerësinë e shpirtit të saj më të pamat sa ujërat e oqeaneve që lagin e paqëtojnë brigjet e zhuritura të mjerimit njerëzor.
 
Të nderuar të pranishëm!
 
Krahas të tjerave, siç jam në dije dhe jam informuar, kam marrë vesh se At Sebastiani ka qenë i pranishëm personalisht i përfshirë edhe në misionin që ia drejton në Bushat që nga viti 1991 e deri më sot. E kam fjalën për shtëpinë “Bethel” – “Shtëpinë e Zotit”, strehën e Misionarëve të Dashunisë, në shërbim të përzemërt ndaj personave me aftësi të kufizuara e tepër të vetmuar.
 
Nga ky fakt tepër domethënës ndihem mjaft i prekur dhe i emocionuar tejmase.
 
Në cilësinë e Presidentit të Republikës, por në radhë të parë si një qytetar i këtij vendi, si bashkëshort e për më tepër si prind, ju premtoj dhe ju garantoj se nuk do të ndaloj kurrë së bëri të njohur, vlerësuar dhe lartësuar këto figura si At Sebastiani, të cilët shoqërisë sonë i bëjnë veç nder dhe bamirësi, ndërsa vendit tonë i japin veç krenari dhe lavdi.
 
Të nderuar miq,
 
Nga modeli që krijoi dhe shpalosi Nënë Tereza jemi frymëzuar e kemi nxënë mësimin se doktrina e saj në shërbim të njerëzimit, bamirësisë, paqes, mirësisë dhe përparimit meriton më së paku jo vetëm mirënjohje të thellë, por madje edhe shenjtërim.
 
Jam i bindur se shpreh edhe ndjenjën e të gjithë shqiptarëve, duke ripërsëritur urimin tonë të përbashkët që Nënë Tereza të shpallet sa më parë shenjtore e Kishës Katolike, por edhe e mbarë njerëzimit!
 
Ndërkohë, nuk më mbetet gjë tjetër veçse të kryej një gjest të vogël, institucional, por edhe njerëzor, të domosdoshëm mirënjohje dhe vlerësimi duke nderuar në mënyrë të supermerituar At Sebastianin me Dekoratën tonë të shenjtë ‘Nënë Tereza’.
 
Duke ju falënderuar sinqerisht e sadopak ju, Atë, pikërisht me këtë vlerësim zyrtar, kam shpresën se figura dhe shembulli i tij, i papërsëritshëm, do të frymëzojë sa më shumë njerëz, do të zbusë edhe disa shpirtra të sertë, dhe se e nesërmja do të na bëjë më njerëzorë, më tolerantë e mirëkuptues ndaj njëri-tjetrit e do të na sjellë dëshirën për të bërë edhe më tepër vepra të mira, por me dashuri të madhe për vendin, për popullin dhe shoqërinë tonë, për gjithsecilin që kemi pranë, por edhe larg por që ka nevojë për fjalën tonë, përkrahjen tonë, ndihmën tonë. Ju faleminderit dhe Zoti ju bekoftë!

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)