Në fshatin Kaludh, një 56-vjeçar ka shndërruar haurin e shtëpisë në një muze tingujsh. Nga zilet e "kohës së turkut" te këmborët me ar, pasioni që nuk blihet me para.

Rruga drejt fshatit Kaludh, vetëm 15 kilometra në veri të Përmetit, të duket si një udhëtim prapa në kohë. Këtu, ku ajri i malit përzihet me heshtjen e fshatit, ndodhet një pasuri që nuk ruhet në kasaforta, por në një haur të thjeshtë shtëpie.

Lefter Sotiri mund të jetë i vetmi në Jug, e ndoshta në të gjithë vendin, që ka vendosur të bëhet gardiani i tingujve. Ai nuk mbledh as monedha e as piktura. Ai mbledh zërin e maleve: këmborët, zilet dhe çokalet e bagëtive.

“Kam rreth 10 vjet, duke i mbledhur një e nga një. Mbarështoja bagëti të imta të racës së dhive. E më hyri në qejf. I grumbulloja se më pëlqente melodia. Dhe avash-avash i grumbullova me shumë mundim këtë numër kaq të madh, pasi pjesa më e madhe janë këmborë 200-300 vjeçare” tregon Lefer Sotiri.

Ky pasion nuk lindi nga asgjëja. Në damarët e Lefter Sotirit rrjedh gjaku i brezave që jetën e tyre e lidhën me malin. Përpara tij, ishte gjyshi dhe babai që ndiqnin ritmin e kopesë.

“Mbledhja e tyre ishte dëshirë e çastit por ne me blegtori jemi marrë brez pas brezi: gjyshi, babai e tani unë”, shprehet ai.

Por Lefteri vendosi ta kthente këtë trashëgimi në një mision shpëtimi. Për dhjetë vite me radhë, ai ka gjurmuar shtigje të vjetra, tregje antike dhe stane të braktisura, duke grumbulluar një pasuri që rrezikonte të shkrihej për skrap.

Për një sy të pamësuar, këto janë thjesht objekte metali. Por për Lefterin, ky haur është një orkestër. Çdo këmborë ka "ison" e saj, një tingull që barinjtë e dikurshëm e njihnin mes mijëra të tjerash për të gjetur kopenë në mjegull.

Në këtë ekspozitë improvizuar, gjen histori gjeografie dhe mjeshtërie. Nga zilet "çifutka" të Janinës, apo "çame" me grykë të hapur, e deri te këmborët "çepore" që shoqëronin karvanet e dikurshme. Disa janë të lehta si fryma, për t’u varur në qafën e cjapit, të tjera të rënda e melodioze, që mbajnë ritmin e qindra krerëve bagëti.

“Kjo seria këtu janë nga të parat zile të Janinës. U thonë zile çifutka. Disa u thonë zile çame. Për shkak se janë të hapura në grykë dhe të ngushta në ballë. Kanë tingull më vete. Zakonisht i përdornin për karvane, për mushka e kuaj”, thotë ai.

Çdo pjesë e këtij koleksioni ka një certifikatë lindjeje të gdhendur në trup, e cila dëshmon se si këto instrumente kanë kapërcyer kufijtë e kohës dhe të gjeografisë.

Udhëtimi i këtyre zileve është një hartë e gjallë e Ballkanit. Ato kanë udhëtuar nga Janina e Greqisë, kanë kaluar nëpër Delvinë, Gjirokastër e deri në thellësi të Labërisë. Kur Lefteri prek njërën prej tyre, ai nuk prek thjesht metalin, por rrugëtimet e gjata të karvaneve me mushka e kuaj që dikur mbyllnin distancat mes qyteteve të vjetra tregtare.

Nëse i sheh me kujdes, zilet mbajnë mbi supe kodet sekrete të historisë sonë. Disa prej tyre dëshmojnë periudhën e Perandorisë Osmane, të vulosura me simbolet e yllit dhe të hënës. Të tjera, mbajnë të gdhendur imazhin e Shën Mërisë, duke treguar se si besimi dhe shpresa e blegtorit ekuilibroheshin mes vështirësive të natyrës dhe mbrojtjes hyjnore.

“Përshembull këto janë zile që në kohën e turkut, ka dhe zile që janë me yll dhe hënë. Këto janë zile që kur i var në blegtori mbajnë shumë ison, ja siç e dëgjon... dhe dëgjohen shumë në distanca të largëta. Këto të tjerat janë zile më të reja, me kokën e Shën Mërisë. Janë më të rënda por shumë të mira. Kjo tjetra është zile turku. Disa janë zile dimërore, ndërsa këto këtu shoqëron me këtë çepore në kope të mëdha mbi 100 krerë. Ose me këtë këmborën e madhe ose edhe me një troke të madhe si kjo”, tregon Lefteri.

Vlera e vërtetë e këtij koleksioni nuk matet me peshën e bakrit, por me peshën e viteve. Lefteri tregon me krenari pjesë që datojnë qysh nga koha e Perandorisë Osmane. Këmborë që kanë parë luftëra, shtegtime dhe breza barinjsh që nuk jetojnë më, por që kanë lënë pas "firmën" e tyre në metal.

Thuhet se mjeshtrit e vjetër përzienin arin në derdhjen e bakrit për t’u dhënë këtyre instrumenteve një kumbim që sfidon distancat. Një sekret që sot duket se ka humbur bashkë me ata që i punuan.

Ky zanat ka mbijetuar kryesisht në zonat me traditë të fortë blegtorale shpirtërore dhe malore në Shqipëri. Gjirokastra dhe Lunxhëria janë të njohura historikisht për këmborët e rrahura me dorë. Mjeshtrit e jugut shquhen për larjen perfekte në tunxh, që u jep këmborëve një ngjyrë të artë dhe tingull të gjatë që dëgjohet me kilometra nëpër lugina. Pazari i Krujës ka pasur disa nga kovaçët më të mirë të vendit. Ata njiheshin për punimin e zileve të derdhura në bronz (zilet e kopsit). Në zonat e veriut si Mirdita, Shala e Kelmendi, këmborët punoheshin më të rënda dhe me llamarinë më të trashë, të përshtatshme për blegtorinë në male të larta dhe të thata, ku moti është i ashpër.

Ky zanat ka vazhduar ndër shekuj sepse nuk u industrializua dot plotësisht. Sekreti i akordimit të metalit (gjetja e mizanës) nuk bëhet me makineri, por trashëgohet vetëm brez pas brezi, nga babai te biri, përmes veshit dhe sensit të hollë të kovaçit tradicional.

“Personat që kanë bërë këto zile kanë qindar vite që kanë vdekur. Unë i kam mbledhur në Janinë, këtu brenda në Shqipëri. Përshembull kam një zile këtu që është me emër e mbiemër, pavarësisht se nuk arrijmë ta lexojmë është në greqisht, e vitit 1867. Është viti që e ka patur pronari, e prodhimit është më herët, ndoshta edhe e vitit 1700, ka iso të veçantë”, shtoi ai.

Mes qindra copave, spikat "Çeporja"  këmborë e rrallë bakri, e lehtë si pendë, por me një zë që "pres" ajrin. Është punuar nga një mjeshtër i Çaçovës që nuk jeton prej shekujsh, me një kallëp që nuk prodhohet më. Lefteri na shpjegon sekretin:

“Kjo këmborë është e tipit çepore. Është shumë e vjetër. Ky kallëp nuk është prodhuar më sepse ai që e ka bërë mund të ketë 400 vjet që ka ndrruar jetë. Siç më ka treguar i zoti që ia kam blerë në Çaçovë. Është nga më të veçantat pasi është këmborë me metal bakër dhe është këmborë e lehtë, që ia var cjapit. Dhe nuk e vret, ia var në çdo periudhë. Edhe tingullin e ka të veçantë: bie thatë dëgjohet në distancë të madhe. Mund të jetë në majë të malit dhe dëgjohet poshtë në fushë”, thotë ai.

Kjo këmborë i varet vetëm cjapit prijës. Në kope të mëdha, mbi 100 krerë, Çeporja shoqërohet nga "Troka" e madhe, duke krijuar një hierarki tingujsh që e bën kopenë të disiplinuar edhe në majat më të thepisura.

“Kjo tjetra duke që është e larë në bakër. Është pak më e rëndë se e ka metalin më të trashë.  Edhe kjo është për distanca të largëta për t’ia varur cjapit në qafë”, shprehet ai.

Por koleksioni nuk mbaron te zilet. Lefteri ruan me xhelozi edhe krrabat, mjetin e pandarë të çdo bariu që kërkon respektin e kopesë. Njëra prej tyre, e punuar me kokë alumini në Janinë, është e dedikuar për delet, ndërsa tjetra, një krrabë e vjetër që mund të jetë gdhendur në Delvinë apo Gjirokastër, mbart në drurin e saj djersën e blegtorëve të dhive.

Për Lefterin, krraba nuk është thjesht një mbështetje, por skeptri i pushtetit mbi malet.

“Kjo është krrabë e vjetër, mund ta kenë bërë në Gjoirolastër ose Delvinë. Unë e kam blerë. Kjo tjetra është krrabë e Janinën me kokë alumini, zakonisht është për dhen ndërsa e para për dhi”, thotë ai.

Në një botë ku gjithçka ka një çmim, Lefteri ka vendosur një kufi që nuk kapërcehet: pasionin. Edhe kur ofertat arritën shifra marramendëse për realitetin e një fshati si Kaludhi, ai nuk u lëkund. Për të, 11 mijë euro janë vetëm letra, ndërsa tingulli i një këmborë 300-vjeçare është shpirt.

“Kam shumë kërkesa për zile. Kam shpërndarë në Mallakastër, në Ersekë. Këto këtu i kam për qejfin tim dhe kush vjen i shikon. M’i kanë kërkuar për t’i blerë deri në 11 mijë euro të gjithë koleksionin por nuk ia dhashë”, tregon Lefter Sotiri.

Mjeshtrit e vjetër përdornin simbole që sot ngjajnë si hieroglifë të padeshifrueshëm. Ka zile të zbukuruara me forma që blegtorët i quanin "këmbë pule" apo "thela bakllavaje". Por perla e vërtetë e këtij koleksioni është një zile unike, e larë në bakër dhe e zbukuruar me figura të rralla, të cilën Lefteri nuk pranoi ta shiste as në Janinë.

“Kjo tjetra ka figura. Është shumë e veçantë. Ma kërkuan në Janinë po nuk e dhashë. Të rilla zile vështirë t’i gjesh. Zakonisht i bëjnë me yll dhe hënë ose me këmbë pule ose me thela bakllavaje. Ndërsa si kjo nuk kam parë. Është hera e parë që më ka rënë në dorë”, thotë Sotiri.

Në dy apo tre mijë zile, mund të gjesh vetëm një të tillë. Është një kryevepër e punuar me dorë, ku trashësia e metalit është llogaritur me saktësi kirurgjikale për të dhënë një tingull që nuk ngàn me asgjë tjetër.

Sot, Lefter Sotiri i pret vizitorët me derën hapur. Nuk kërkon bileta e as pagesa. Ai dëshiron vetëm që ky pasion të mos mbetet i mbyllur mes mureve të shtëpisë së tij. Ai kërkon që njerëzit të vijnë, t’i tunden këto zile dhe të dëgjojnë historinë që ato tregojnë.

“Unë të gjitha këto i kam mbajtur për ekspozitë. Dua t’i reklamoj, t’i nxjerr për vizitorët. Të vijnë t’i shikojnë për qejfin e tyre.

Të tërë meraklinjtë të vijnë t’i shikojnë, t’u bëjnë video. Janë të lirë t’i reklamojnë. Në Kaludh, këmborët vazhdojnë të bien. Jo më për të mbledhur dhentë në mal, por për të mbledhur kujtesën tonë kombëtare, që rrezikon të heshtë përgjithmonë. Nuk i kam për t’i shitur. Kjo është kënaqësia ime! Ky është qejf e qejfi nuk blihet me para!” e përfundon fjalën e tij Lefter Sotiri.