Tjetër përplasje/ Xhaçka i kërkoi shkarkimin për Pashalimanin, Meta: Dogjani lirohet, por për mbarim mandati

TIRANE-Shënohet një tjetër përplasje mes qeverisë dhe Presidencës. Kreu i shtetit ka dekretuar sot lirimin nga detyra të komandantit të Forcës Detare Ylber Dogjani, por jo mbi kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes që mban datën 4 shkurt të këtij viti për vjedhjen e armatimeve në bazën e Pashalimanit, por se i mbaroi mandati.

Pas vjedhjes së armatimeve në Pashaliman në 11 janar të këtij viti,  Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura nisi një hetim administrativ dhe doli në përfundimin se përgjegjës për ngjarjen ishte i gjithë zinxhiri komandues i Forcës Detare duke filluar nga komandanti i Forcës Detare Ylber Dogjani.  Në bazë të hetimit, përgjegjësia për masat e sigurisë në bazën detare,  iu ngarkua komandantit të Forcës Detare Ylber Dogjani, komandantit të bazës dhe të gjithë linjës së komandimit.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka me propozim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm shkarkoi nga detyra 15 ushtarakë përgjegjës në drejtim-komandimin dhe cështjet e sigurisë e ruajtjes në Forcën Detare dhe Bazën e Pashalimanit. Gjithashtu Ministrja e Mbrojtjes nisur nga rezultatet e hetimit administrativ i propozoi Presidentit të Republikës, shkarkimin e komandantit të Forcës Detare, Gjeneralmajor, Ylber Dogjani.

Propozimi qëndroi 7 muaj mbi tryezën e Presidentit dhe Ilir Meta nuk veproi deri kur i mbaroi mandati duke mos e shkarkuar me motivacionin që i kërkoi ministria e Mbrojtjes, por për mbarim mandati.  "Me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, dekretoj shkarkimin nga detyra të Gjeneral Major Ylber Selman Dogjani për shkak të mbarimit të mandatit" thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në 14 Tetor të 2015 Presidenti i Republikës, asokohe Bujar Nishani dekretoi emërimin e Gjeneral Brigade Ylber Dogjanit në postin e Komandantit të Forcës Detare. Dogjani më parë mbante detyrën e Drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Komandant i Komandës Mbështetëse. 

Injoroi ministrinë, por edhe kur e shkarkoi Meta shkeli ligjin
Kreu i shtetit injoroi për 7 muaj propozimin e ministrisë së Mbrojtjes për shkarkimin e Dogjanit, por edhe në momentin që vendosi lirimin, Meta duket se e ka bërë në shkelje të ligjit.

Një burim i tha Shqiptarja.com se mandati i komandantit të Forcës Detare nuk ka kufizim, por Meta në dekretin e tij shprehet se e largoi me arsyetimin e mbarimit të mandatit.

Sipas të njëjtit burim shkelja e dytë lidhet me gradat, pasi Dogjanit i ka mbaruar në 15 korrik të këtij viti grada Gjeneral me dy yje dhe ligji parashikon se nëse nuk përparon në gradë del në lirim automatikisht. Ndërkohë që dekreti për lirimin e tij u firmos 15 ditë më pas në 31 korrik nga Meta.

Në një gradë mund të qëndrosh në tre vite dhe në rastin konkret meqë nuk aplikoi për të marrë yllin e tretë, pra kur nuk përparon, lirohesh. Sipas tyre, motivacioni i Metës është nul, pasi mbajti në detyrë një gjeneral që nuk ka përparuar në gradë dhe që duhet të lirohej. 

Në muajt e fundit janë regjistruar disa përplasje mes qeverisë dhe presidencë, pasi kreu i shtetit ka sulmuar disa herë ekzekutivin përmes kthimit të dekreteve.

Ligji per gradat

Dekreti i Presidentit

Presidenti Meta dekreton shkarkimin nga detyra të Komandantit të Forcave Detare, Gjeneral Major Ylber Selman Dogjani

DEKRET
PËR
SHKARKIM NGA DETYRA TË KOMANDANTIT TË FORCËS DETARE

Në mbështetje të pikës 3, të nenit 169, nenit 93 të Kushtetutës, të nenit 9, pika 3, germa “c”, të ligjit nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes,

D  e  k  r  e  t  o  j

Neni 1

Gjeneral Major Ylber Selman Dogjani, shkarkohet nga detyra e Komandantit të Forcave Detare, për shkak të mbarimit të mandatit.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjeherë.

Nr. i Dekretit 11245
Tiranë, më 31.07.2019

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • sapa: 02/08/2019 16:51

    Deri ne fund perpiqet hajduti te mbroje hajdutin.Mjere ky vend!

    Përgjigju
  • Uniteti Kombit: 02/08/2019 16:31

    Hajde se do takohen mbrapa prap, ky do jete shtruesi menxes

    Përgjigju
    • Arbëri: 02/08/2019 17:21

      Dmth Likja e ka mbrojtur që nga shkurti e deri tani kur i kaloi mandati...Kjo do u haj kokën përfundimisht ...!!!

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vranësira dhe temperatura të ulëta, parashikimi i motit për sot

Vranësira dhe temperatura të ulëta, parashikimi i motit për sot