Pas një seance që ka zgjatur shtatë orë Gjykatën e Fierit vendosi vijimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për tre persona të dyshuar për tjetërsimin e rreth 44 mijë metrave katrorë tokë shtetërore në zonën e Povelçës.

Në burg do të vijojë të qëndrojë ish-drejtori i Kadastrës së Fierit, Arben Voja (aktualisht drejtor i spitalit të Fierit), ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas, Dilaver Shyti si dhe noterja Anila Haxhiu.

Gjykata ka ndryshuar masën e sigurisë për juristin e Kadastrës së Fierit, Fjorelo Bida. Nga “arrest në burg”, që ishte caktuar më herët në mungesë, ndaj tij janë vendosur tre masa më të lehta, ndalimi i daljes jashtë shtetit, detyrimi për t'u paraqitur në policinë gjyqësore dhe pezullimi nga detyra.

Për Topografen Arbina Jaupaj, gjykata ka lënë në fuqi masat e sigurisë të caktuara më parë, atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit dhe detyrimit për t'u paraqitur në policinë gjyqësore.

Sipas hetimeve, çështja lidhet me kalimin e rreth 44 mijë metrave katrorë tokë shtetërore në pronësi private në zonën e Povelçës. Dyshohet se pas tjetërsimit, prona u është shitur investitorëve për ndërtimin e një parku fotovoltaik. Personat nën hetim akuzohen për mashtrim, falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Kjo nuk është hera e parë që Arben Voja, aktualisht drejtor i spitalit të Fierit përballet me kallëzime penale. Në maj të vitit 2023 kur ishte në krye të Kadastrës së Fierut, Voja është kallëzuar në SPAK nga Kadastra e Shtetit. Në kallëzim, Agjencia shtetërore e Kadastrës në Tiranë, theksonte se drejtori i Fierit dhe specialistja Shpresa Gjikondaj akuzoheshin për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh me një dëm ekonomik për shtetin shqiptar prej 9.5 milionë lekësh të reja.

Ndërsa në vitin 2025, kur drejtonte Angjencinë e Mjedisit, Prokuroria e Fierit njoftoi për përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të tij dhe 6 punonjësve të tjerë, për shpërdorim detyre në bashkëpunim. Çështja lidhej me shkelje në procedurat e dhënies së lejeve mjedisore.

Masat e sigurisë të vendosura sot nga Gjykata e Fierit:
Arben Voja, Drejtor i Spitalit të Fierit, ish-drejtor i Kadastrës së Fierit----‘Arrest në burg’
Dilaver Shyti, Ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas----‘Arrest në burg’
Anila Haxhiu, Notere---‘Arrest në burg’
Fjorelo Bida, punonjës i Kadastrës së Fierit----‘Detyrim paraqitjeje’, ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’ dhe ‘pezullim nga detyra’
Arbina Jaupaj, specialiste hartografe në Kadastrën e Fierit---‘Detyrim paraqitjeje’ dhe ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë