Pas shtatë orësh seancë maratonë në Gjykatën e Fierit, trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtari Noel Veizi dhe prokurori Leonard Suçi, ka vendosur vijimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për ish-drejtorin e Kadastrës së Fierit, Arben Vojen (para arrestimit ishte drejtor i spitalit të Fierit), ish-kreun e njësisë administrative Dërmenas, Dilaver Shytin dhe noteren Anila Haxhiu, për çështjen e tjetërsimit të 44 mijë metrave katrorë tokë shtetërore.

Ndërkohë, për punonjësin e Kadastrës së Fierit, Fjorelo Bidan është ndryshuar masa e sigurisë, duke u caktuar ndaj tij tre masa më të lehta me karakter ndalues, ato të ‘ndalimit të daljes jashtë shtetit’, ‘detyrimit për t'u paraqitur’ dhe ‘pezullimit nga detyra’.

Ndërsa për specialisten dhe hartografen në Kadastrën e Fierit, Arbina Jaupajn, Gjykata e Fierit ka lënë në fuqi masat e sigurisë të caktuara më herët ndaj saj, ato të ‘ndalimit të daljes jashtë shtetit’ dhe ‘detyrimit për t'u paraqitur në policinë gjyqësore.’

Arben Voja u paraqit në Gjykatë, pavarësisht problemeve shëndetësore. Ata dyshohen për veprat penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

Çështja lidhet me tjetërsimin e rreth 44 mijë metrave katrorë tokë shtetërore në Povelçë, e cila dyshohet se është kaluar në pronësi private me qëllim përdorimin e saj për ndërtimin e një parku fotovoltaik.

Masat e sigurisë të vendosura sot nga Gjykata e Fierit:
Arben Voja, Drejtor i Spitalit të Fierit, ish-drejtor i Kadastrës së Fierit----‘Arrest në burg’
Dilaver Shyti, Ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas----‘Arrest në burg’
Anila Haxhiu, Notere---‘Arrest në burg’
Fjorelo Bida, punonjës i Kadastrës së Fierit----‘Detyrim paraqitjeje’, ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’ dhe ‘pezullim nga detyra’
Arbina Jaupaj, specialiste hartografe në Kadastrën e Fierit---‘Detyrim paraqitjeje’ dhe ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë