Apeli i GJKKO ka prishur verdiktin e shkallës së parë, duke dyfishuar dhe dhënë dënimin me 2 vite e 8 muaj burgim për Fran Frrokajn, ish-kryetarin demokrat të Bashkisë së Lezhës. Shkalla e parë kishte dhënë 1 vit dhe 4 muaj burgim, kurse SPAK kishte kërkuar dënimin që u dha sot (23 Dhjetor).
Me këtë verdikt Frrokaj pritet të rikthehet në qeli dhe të vuajë dënimin e ri, pasi është i formës së prerë.
Frrokaj ka përfituar nga amnistia muaj më parë (24 Prill 2024), duke u liruar për dënimin e çështjes së parë, por për tokat në bregdet. Ai ishte dorëzuar në muajin Tetor të vitit 2022, pas dënimit të parë të gjykatës.
Vendimin për dosjen e dytë e mori sot (23 Dhjetor) Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Iliriana Olldashi si kryesuese, Dhimitër Lara dhe Florjan Kalaja anëtarë.
Çështja ishte regjistruar mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme dhe mbi ankimet e ish-kryebashkiakut Fran Frrokaj dhe 2 të tjerëve, ndaj vendimit të 1 marsit 2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë. Prokuroria kërkonte dënimin e tij me 4 vite burgim, që u pranua sot, i konvertuar në 2 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar.
Shkalla e parë e kishte dënuar me 2 vite burgim, të konvertuara në 1 vit dhe 4 muaj burg.
"Apeli vendosi në përfundim deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Frrokaj për kryerjen e veprës penale “shpërdorimi i detyrës” dhe dënimin e tij me 4 vjet burgim. Në bazë të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, dënimin përfundimisht të rij më 2 vjet e 8 muaj burgim mbi bazën e gjykimit të shkurtuar. Frrokaj ishte liruar më herët pas amnistisë", thuhet në vendim..
U deklarua fajtor edhe i pandehuri Bledar Cara, për kryerjen e veprës penale “shpërdorimi i detyrës”, dhe dënimin me 2 vite burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar bëhet në 1 vit e 4 muaj burgim. Gjithashtu heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një afat prej 5 (pesë) vjet. Cara kishte marrë pafajësi në shkallën e parë.
Shpallja fajtor u bë edhe ndaj të pandehurës Juxhina Mema, për kryerjen e veprës penale “shpërdorimi i detyrës”, duke e dënuar me 2 vite burgim dhe me gjykim të shkurtuar kthehet në 1 vit dhe 4 muaj burgim, që më tej konvertohet në shërbim prove për 5 vjet me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.
Po kështu humbet të drejtën e ushtrimit të funksioneve për 5 vite. Edhe Mema kishte marrë pafajësi në shkallën e parë.
Rana e Hedhun
Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit të GJKKO çon drejt konfiskimit edhe sipërfaqen me 66 mijë metra katrorë truall në zonën e bregdetit të Lezhës, te “Rana e Hedhun”.
Kjo sipërfaqe ishte sekuestruar më parë nga SPAK-u.
Gjithashtu pas vendimit të formës së prerë, të tre të dënuarit e sotëm do të vihen nën komunikim dhe ekzekutim vendimi nga Policia e Shteit.
Konkretisht ish-kryebashkiaku Fran Frrokaj do kthehet edhe një herë në qeli për të vuajtur 2 vite dhe 8 muaj burg, për këtë çështje të dytë, pasi vuajti dënimin edhe për të parën.
Po kështu edhe zyrtari Bledar Cara do izolohet për të vuajtur 1 vit dhe 4 muaj izolim. Kurse Juxhina Memës do i komunikohet edhe vendimi për shërbimin e provës me 5 vite, pasi dënimi me 1,4 vite burgim iu konvertua nga Apeli.
Hajde drèjtsi hajde 2.8 burg ket bojeni shembull se mos te vidhet mo
PërgjigjuPak qenka denu, 20 vjet minimumi per grabitesit e pronave publike.
Përgjigju