Tokat në Durrës, Ismail Mulleti
350 mijë € Shkëlzen Berishës
Video/Shkëlzeni: Paratë i mora për konsulencë

Tokat në Durrës, Ismail Mulleti<br />350 mijë € Shkëlzen Berishës<br />Video/Shkëlzeni: Paratë i mora për konsulencë
Për herë të parë zbulohet mekanizmi se si Shkëlzen Berisha, gjatë pushtetit të babait të tij, Sali Berisha, ka fituar qindra mijëra euro në vit si ndërmjetësues fiktiv, për shitjen dhe blerjen e pronave, mes kompanive që dyshohet se kanë të njëjtën pronar, mes të njëjtëve njerëz dhe në të njëjtën zonë.

Shqiptarja.com zbardh kontratat, sipas të cilave dyshohet se Shkëlzen Berisha ka marrë 350 mijë euro nga Ismail Mulleti, biznesmeni i njohur për lidhjet e shumëfishta me Partinë Demokratike, por që në dokumente rezulton sikur i ka marrë nga dy persona të ndryshëm.

Personazhi kyç, me anë të cilit Mulleti i ka dhënë si bakshish Shkëlzen Berishës, në dy pagesa, 200 mijë euro dhe 150 mijë euro, është Entela Shehaj.

Kjo e fundit rezulton administratore e kompanisë Stellar Real Estate Investmens Albania sh.p.k, e cila ka lidhur një kontratë me Shkëlzen Berishën për shitjen e rreth 50 mijë m2 tokë, në këmbim të një pagese prej 150 mijë eurosh.

Toka ndodhej në njëjtën zonë kadastrale në Durrës, në fshatin Rinia, ku rezulton se kanë blerë prona sekseri i famshëm i qeverisë Berisha, Damir Fazlliç dhe e bija e ish-kryeministrit, Sali Berisha, Argita Berisha.

Pra, bëhet fjalë për të njëjtën zonë gjeografike, ku kanë bërë pazaret me pronat Argita, Shkëlzeni, Fazlliçi, Mulleti, Shehaj etj. Zona ku sipas një vendimi te qeverise Berisha te nëntorit 2008 duhej të zgjerohej parku energjetik i Porto Palermos duke e rritur kështu në mënyrë drastike vlerën e tokës.
 
Mekanizmi, si u dhanë 200 mijë euro
Më datë 14 korrik të 2008, Shkëlzen Berisha dhe Ismail Mulleti lidhin një kontratë. Sipas kësaj kontrate, detyra e Shkëlzenit ishte ndërmjetësimi për blerjen e pronave në fshatin Rinia në Durrës, në zonën kadastrale 31 84, me numër pasurie 60/2, 60/3, 60/4, 60/5, 60/6, 60/7, 60/8, me sipërfaqe 57 494 m2. Shkëlzeni duhet të identifikonte shitësit potencial të tokës, identifikimin e pronave, të dhëna për shitësit etj. Për këtë shërbim, i cili mund të kryhej në vetëm në pak minuta, me anë të një verifikimi nga institucionet shtetërore, Shkëlzen Berisha ka marrë 200 mijë euro nga Ismail Mulleti. Fiktiviteti i shërbimit, me anë të cilit djali ish-kryeministrit ka marrë paratë, është vetëm njëra anë e medaljes, pasi ka dyshime të forta se shuma prej 200 mijë eurosh të mos jetë vlera e vërtetë. Po ashtu, zona kadastrale është e njëjtë me zonën ku Fazlliçi ka blerë tokë.
 
Shërbim fiktiv për 150 mijë euro të tjera
Në datën 11 dhjetor të 2009, po në Fshatin Rinia në Durrës, në zonën e Porto Romanos, Shkëlzen Berisha, ka lidhur një kontratë me Stellar Real Estate Investmens Albania sh.p.k, për t’i gjetur blerës për blerjen e rreth 50 mijë m2 tokë që kanë në pronësi, duke marre si shpërblim 3 euro për çdo metër katrorë. Në rastin konkret për shërbimi i tij Shkëlzen Berishës fiton 150 mijë euro të tjera. Aspekti i çuditshëm që të bën të mendosh për një shërbim fiktiv të shpikur në letër vetëm për të justifikuar derdhjen në llogarinë bankare të Shkëlzen Berishës të parave, është fakti i zbuluar nga Shqiptarja.com që shoqëria që shet 50 mijë metra katrorë tokë në fshatin Rinia ka si administratore Entela Shehajn, pra të njëjtin person që është ortake e Ismail Mulleti, që paguan Shkëlzen Berishën për të gjetur tokën për blerje në fshatin Rinia. Nëse blerësi dhe shitësi janë ortakë mes tyre, përse kanë nevojë të paguajnë Shkëlzen Berishën 350.000 euro për një ndërmjetësim të panevojshëm?
 
Lidhja Shehaj-Mulleti
Entela Shehaj në fakt rezulton administratore dhe ortake me 10 % në kompaninë IMAH 2014 sh.p.k. Në këtë kompani del që Ismail Mulleti ka 45% të aksioneve. Pra, Shehaj dhe Mulleti janë bashkëpronar. Ndërkaq, dyshimet shtohen kur Entela Shehaj, sipas të dhënave të QKR, është administratore e Stellar Real Estate Investmens Albania sh.p.k edhe gjatë kohës së lidhjes kontratës me Shkëlzeni Berishën në 16.11.2009, ndërsa vazhdon të jetë edhe sot.
 
Dy mistere
Ka edhe dy mistere të tjera në këtë histori. Misteri i parë, nuk dihet se kujt i ka blerë tokën në Porto Romano kompania Stellar Real Estate Investmens Albania. Misteri i dytë, nuk i dihen pronarët e vërtetë të kompanisë Stellar Real Estate Investmens Albania sh.p.k , pasi sipas regjistrimit në QKR, pronar i 100 % të aksioneve është Stellar International Property Fund Limited, e cila është një kompani e regjistruar në Gibraltar, parajsë fiskale. Fjala e fundit u mbetet organeve hetimore, por nga të dhënat e deritanishme del qartë se, kemi të bëjmë me të njëjtën njerëz, të cilët kanë futur në lojë Shkëlzenin vetëm për të marrë paratë. Kjo kompani mund t’ia këtë blerë tokën Argitës, mund t’ia këtë blerë Fazlliçit, por ndoshta edhe vetë Ismail Mulletit. Argita ka nisur të blejë tokë në këtë zonë që në vitin 2006, duke ia shitur Fazlliçit më pas. Pikëpyetjet janë të mëdha, por një gjë është e sigurt se, po aq me madhe është frika e personazheve në fjalë nga Reforma në Drejtësi.

 Parajsat fiskale, Ismail Mulleti, shqiptari i “Panama Papers”

Ismail Mulleti, personi që i dha 200 mijë euro Shkëlzen Berishës, si dhe dyshohet që i dha edhe 150 mijë euro të tjera, është një emër jo pak i njohur. Bizenesmeni Mulleti është shqiptari i vetëm deri tani, emri i të cilit rezulton i përfshirë në dosjet voluminoze të skandalit financiar “Panama Papers”. Ai është bashkëpronar në “GFI Techonologies” me izraelitin Assaf Halkin. Kompania e tij gjatë vitit 2013 fitoi koncesionin e markimit të karburanteve, pak para se qeveria “Berisha 2” të mbaronte mandatin. Dy ortakët e kanë regjistruar kompaninë në maj të vitit 2013 në ishullin Anguilla në Amerikën Qendrore. Mulleti dhe Halkin kanë edhe një kompani tjetër të regjistruar në Shqipëri. Dokumentet e QKR tregojnë se ata janë ortakë me nga 45 % në kompaninë “IMAH”, me adresë në qendrën e biznesit në rrugën “Murat Toptani”. Pikërisht në kompaninë “IMAH” është administrator dhe ortake Entela Shehaj, personi që lidh dy kontratat fitimprurëse si ndërmjetës të Shkëlzen Berishës. Mulleti është një emër me një histori të gjatë në Shqipëri. Ai njihet si i përfolur për lidhje me kompaninë “Shqiponja” shumë afër PD, gjatë viteve 1992-¬1996, dhe bizneseve të tjera të afërta me PD.
dokumenti 200 euro
(Transferta 200 mijë euro e Ismail Mulletit për Shkëlzenin)

dokumenti 200 euro
(Transferta 150 mijë euro në llogarinë e Shkëlzenit)
ekstrakti

ekstrakti
 
(Kompania "IMAH 2014" me të cilën ka lidhur kontratë Shkëlzen Berisha)

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Alarm në Greqi, ujërat e zeza të Athinës të ‘mbingopura’ me kokainë! Dyfishohet konsumi i drogës gjatë festave, ulet niveli i COVID-it

Alarm në Greqi, ujërat e zeza të Athinës të ‘mbingopura’ me kokainë! Dyfishohet konsumi i drogës gjatë festave, ulet niveli i COVID-it