Një zonjë që mbërrin në një zyrë shteti me një shkresë në dorë kërkon mbrojtje. Nga frika dhe nxitimi ajo nuk arrin as të gjejë fjalët. Përballet me një formular që nuk arrin ta kuptojë dhe i drejtohet sportelit të radhës, ku e udhëzojnë të kthehet të nesërmen. Askush nuk i thotë se gëzon të drejtën e një ndihme ligjore falas. Largohet me bindjen se: zyrat e shtetit nuk janë për të.

Kjo zonjë nuk ka humbur ende asnjë çështje gjyqësore. Vendimi, madje as që ka nisur të shkruhet, por drejtësia ka dështuar tashmë për të, e jo në sallën e gjyqit, por që në derën e parë.

Sepse, e pata thënë dhe në shënimin e parë, se drejtësia përjetohet përditë e jo thjesht në çastin kur nënshkruhet një dokument. Ja ku e kishte provën, pa nisur ende të fliste.

Para se qytetari të presë një vendim të drejtë, duhet të ndiejë se drejtësia është aty për të, që në përballjen e parë. Për shumëkënd, mbresa e parë është vendimtare: mund të kthehet në pengesë, ose të krijojë besimin e nevojshëm për të vazhduar.

Na ndodh ta përfytyrojmë drejtësinë si atë çka ndodh brenda sallës së gjyqit. Vetëm se për qytetarin ajo nis shumë më parë, në zyrën a sportelin ku kërkon informacion, në formularin që nuk e kupton, në avokatin që nuk ia mban xhepi ta paguajë apo në dyert që nuk i hapen. Nëse dera fillestare është e ngushtë apo e largët, sado i drejtë të jetë vendimi përfundimtar, drejtësia ka dështuar qysh në zanafillë. E drejta që qytetari nuk arrin ta ushtrojë është një gjysmë e drejtë, është kurrgjë.

Drejtësia si shërbim e jo thjesht si gjykim

Prej kohësh e kemi ndarë drejtësinë në dy pjesë: gjykata jep vendime, ndërsa gjithçka tjetër e kemi konsideruar “administrim”. Ama, qytetari nuk e bën këtë ndarje. Ai nuk e ndan përvojën e tij tek dera e ngushtë, prej vendimit që merret në fund; për të, të dyja këto janë dy pjesë e së njëjtës “drejtësi”. Ndaj, mekanizmat e aksesit në drejtësi që i ofrohen për zgidhje, qoftë ndihma juridike, ndërmjetësimi, informimi apo shërbimi elektronik, por edhe gjuha me të cilën i drejtohet nëpunësi në sportel, është shumë më tepër se një shtojcë e drejtësisë. Janë vetë drejtësia në çastin e parë të takimit me qytetarin.

Kjo na e ndryshon tërësisht mënyrën se si e masim reformën. Për vite me radhë, suksesin e kemi gjykuar mbi bazën e asaj çka ndodh së brendshmi: numrit të çështjeve të zgjidhura, kohëzgjatjes së tyre dhe cilësisë së vendimit për secilën. Të gjithë këta janë tregues të domosdoshëm dhe nuk mund t’i shpërfillim. Megjithatë, nuk arrijnë të na rrëfejnë nëse banori i një zone të largët e di se ka të drejtën e ndihmës juridike falas dhe di si ta kërkojë atë. Nuk na rrëfejnë nëse zonja me shkresë në dorë e gjen rrugën vetë apo humbet në labirintin e procedurave. Nuk na rrëfejnë as nëse qytetari që mund ta zgjidhte mosmarrëveshjen me ndërmjetësim, pa humbur muaj të tërë dhe para në gjyqe, e di se e ka të hapur edhe këtë shteg. Statistikat e brendshme mund të jenë të shkëlqyera, por këto tri dyer prapëseprapë kanë mbetur të mbyllura.

Tri dyer që duhen mbajtur hapur

Ndihma juridike. E drejta për t’u mbrojtur nuk duhet të mbetet një garanci që ekziston veç për atë që di ta kërkojë. Qoftë kur dikush kërkon mbrojtje nga dhuna apo qoftë kur përballet me një procedim, qasja e hershme dhe efektive në informacion dhe këshillimi juridik, mund të jenë vendimtare nëse ushtrohet realisht e drejta apo mbetet në letër. Detyra jonë është ta bëjmë këtë të drejtë reale për cilindo, jo thjesht të shkruar në ligj, por të arritshme, të njohur e të pranishme pikërisht aty ku qytetari e ka më të vështirë ta kërkojë.

Ndërmjetësimi. Jo çdo mosmarrëveshje ka nevojë të shndërrohet në betejë gjyqësore. Një pjesë jo e vogël e ngarkesës që u zë frymën gjykatave dhe e sfilit qytetarin, mund të zgjidhet më shpejt, lirë e lehtë, me anë të ndërmjetësimit. Veç se kjo kërkon që qytetari ta njohë ndërmjetësimin si udhë të mirëfilltë për drejtësi e jo si kureshti ligjore. Drejtësia që mëson t’i shpjerë njerëzit në rrugën e duhur, e cila mund të mos jetë domosdoshmërisht dera e gjyqit, është një drejtësi që di të kujdeset për qytetarin.

Shërbimet digjitale dhe gjuha.Digjitalizimi vlen vetëm nëse afron shtetin pranë qytetarit e jo nëse shton një mur të ri para atij që nuk ka akses apo vështirësi në përdorimin e shërbimit. Një platformë që kërkon durimin e një juristi për t’u përdorur, nuk është më shërbim, por një pengesë e re me fytyrë bashkëkohore. Në të njëjtën mënyrë, gjuha me të cilën drejtësia i drejtohet qytetarit është po aq tregues i cilësisë së saj: vendimi, njoftimi apo udhëzimi që njeriu nuk kupton dot, e përjashton atë edhe kur teknikisht është “brenda”. E folura qartë e kuptueshëm nuk është thjeshtim i së drejtës, por respekti thelbësor për cilindo që e kërkon atë.

Aksesi si masë besimi

Këto janë arsyet pse aksesi nuk është temë teknike e dorës së dytë. Përkundrazi, është prova e prekshme nëse shteti e sheh qytetarin si zotëruesin e së drejtës apo si nevojtar që duhet ta fitojë vëmendjen e shtetit. Një sistem drejtësie ku qytetari detyrohet të rropatet thjesht e vetëm për të gjetur hyrjen, i lë të kuptojë diçka qysh para se t’ia ketë gjykuar çështjen:sistemi nuk u ndërtua për ty. Këtu shkaktohet plaga e parë e besimit; shumë më parë se të jepet vendimi, plaga e zonjës me shkresën në dorë, para se dikush t’i mbante vesh qoftë dhe fjalën e parë.

Kësisoj, mënyra si e mat një Ministri Drejtësie punën e saj, nuk mund të kufizohet te statistikat e brendshme. Përvoja e qytetarit, nga trotuari ku shkel, te dera që çelet e te përgjigja që merr, duhet të shndërrohet në tregues të performancës e jo të mbetet shënim në fund të faqes. Asgjë nga sa më sipër nuk cenon aspak pavarësinë e gjykatës; gjykimi i gjyqtarit mbetet përgjegjësi tërësisht dhe vetëm e tij.

Nga ana tjetër, lehtësia me të cilën qytetari gjen derën e drejtësisë, kuptueshmëria e informacionit dhe siguria se zgjidhja është aty, janë detyra që mund dhe duhet doemos t’i realizojmë ne.

Në shënimin e mëparshëm, u shpreha se kapitulli i sundimit të ligjit mbyllet i fundit pikërisht pasi është më i vështiri për t’u shndërruar nga parim në përvojë të jetuar. Aksesi në drejtësi është prova e përditshme nëse sundimi i ligjit zbatohet apo mbetet në letër. Jo raportet e Brukselit, por dera që njeriu gjen hapur ose mbyllur.

Reforma nuk mund të matet vetëm me vendimin përfundimtar por edhe nga lehtësia me të cilën qytetari arrin të marrë shërbimet që i takojnë. Mbajtja e asaj dere hapur, përcjellja tek qytetari në mënyrë të thjeshtë e informacionit që i nevojitet, siguria se nëpunësi publik do të përpiqet të gjejë zgjidhjen ligjore, ndoshta nuk janë nga ato procese që bëjnë bujë, por forcojnë besimin tek drejtësia.

Nëse dera është aksesi, na mbetet edhe një pyetje e fundit: nga ta dimë nëse ajo derë është funksionale? Dhe, ç’të bëjmë kur të zbulojmë se jo? Për këtë, shtetin që mat, gabon e mëson, do të shkruaj në shënimin tjetër.

*Editoriali i dytë i serisë “Shënime mbi drejtësinë”, nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu