Kryetarja e Partisë Lëvizja për Ndryshim, Jozefina Topalli tha se korrupsioni nuk luftohet nga ata që e kanë kthyer atë në mjetin e pasurimit të tyre e të familjeve të tyre. Duke iu referuar raportit të Transparency International, Topalli shkruan në facebook, se  tre liderët e partive në vend kanë vrarë shpresën e shqiptarëve dhe se vendi ka nevojë për ndryshim.

Sipas Topallit, korrupsioni është faktori themelor që ka varfëruar vendin dhe ka zhytur qeverinë në skandale.

“Korrupsioni është faktori themelor që ka varfëruar vendin, që ka zhytur qeverinë në skandale, që ka thyer besimin tek lidershipi i tre partive dhe që ka vrarë shpresën. Lufta kundër korrupsionit është kyç për ndaljen e rënies së ekonomisë, të institucioneve të vendit e të demokracisë. Korrupsioni nuk luftohet nga ata që e kanë kthyer atë në mjetin e pasurimit të tyre e të familjeve të tyre.  Vendi ka nevojë për ndryshim, për lidership të pakorruptuar”, shkruan Topalli.

Transparency International, një ditë më parë ka nënvizuar problemet kryesore në vendet e Ballkanit Perëndimor duke vendosur theksin kryesor në kapjen e shteti që po pasuron politikanët dhe po shkatërron besimin e publikut në institucionet qeveritare.