KORCE - Kryetari i partisë Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi nga Korça ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha dhe liderin e Opozitës, Edi Ramën se janë bashkëfajtorë për situatën ku ndodhet Shqipëria sot. Sipas Topit kryeministri i vendit ka të drejtë të flasë dhe të fyejë me një gjuhë vulgare për aq kohë sa vendit i mungon një opozitë e institucionalizuar.

Duke u ndalur tek greva e urisë që po zhvillojnë ish të përndjekurit politik në kryeqytet kreu i FRD ka theksuar se në 26 ditë të grevës Berisha në 20 ka heshtur,ndërsa 6-të ditë ka fyer. Topi e ka cilësuar indiferentizmin e kryeministrit një indiferentizëm kriminal,ndërkohë që e ka akuzuar si diktator të komunizmit në vitin 2012.

Më tej Bamir Topi është shprehur se FRD synon një politikë të re dhe me moral, politikën e premtimeve të mbajtura.

Ndërkohë lidhur me statusin Bamir Topi është shprehur optimist për marrjen e tij,ndërsa ka deklaruar se nuk duhet të punojmë me egoizëm.

Këto deklarata kryetari i partisë Fryma e Re Demokratike i bëri nga Korça ku së bashku me Gazmend Oketën zhvilloi një takim me simpatizantë dhe anëtarë të kësaj force politike.

(Gre.M/Shqiptarja.com)