FIFA ka marrë vendim që ta zgjasë kohën e votimeve për Topin e Artë, për shkak se një numër i madh trajnerësh dhe kapitenësh nuk kanë votuar. Data e përfundimit të votimit ishte të premten e kaluar, por votuesit kanë të drejtë të japin votën e tyre deri më 29 nëntor. Si pjesë e këtij vendimi të FIFA-s, edhe ata që kanë votuar, kanë të drejtë ta ndërrojnë votën e tyre.

“Për shkak të numrit të vogël të përgjigjeve nga trajnerët dhe kapitenët e ekipeve kombëtare, po ashtu edhe nga përfaqësuesit e mediave, në mënyrë që të sigurohet numër adekuat i votave, FIFA dhe France Football e ka zgjatur afatin deri më 29 nëntor 2013. Votat që tashmë janë dhënë, mund të ndërrohen deri më 29 nëntor”, ka thënë një zëdhënës i FIFA-s.

Lajmi vjen pasi kapiteni i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, që është njëri nga favoritët, bëri një paraqitje mahnitëse duke shënuar 3 gola ndaj Suedisë. Pas tre golave, mediat i kanë kushtuar një jehonë të madhe sulmuesit portugez dhe faktit që është shumë pranë fitimit të Topit të Artë.

Madje këtij fakti i ka dhënë një dorë edhe Blater, që pas golit shkruan në ‘Tëitter’ se ishte i mrekullueshëm, duke bërë meculpa pas deklaratave të pak ditëve më parë. Messi është i lënduar dhe do të mungojë rreth dy muaj. Ndërsa pas ndeshjes me Portugalinë, Ibra është shprehur se botërori pa atë nuk ka kuptim dhe nuk ia vlenë që të shihet.

“Jemi shumë të zhgënjyer, por fituan më të mirët. Fillova të besoja se mund të kualifikoheshim pas dy golave të mi, por Portugalia ishte superiore. Nëse i jep mundësinë Cristianos të niset në tre kundërsulme, ai shënon tre gola. Është më i miri në këtë aspekt. Ai është i jashtëzakonshëm, por…një Botëror pa mua nuk ka kuptim ta shohësh” përfundoi ai.

Shkrimi u publikua sot (21.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)