Presidenti Topi vlerësoi organizimin e aktiviteteve të tilla pasi në një botë që po globalizohet përditë e më shumë, ky Samit dëshmon edhe njëherë domosdoshmërinë e bashkëpunimit, veçanërisht, bashkëpunimit ekonomik për të nxitur, për të mbështetur dhe për të ideuar zgjidhje për çështje me rëndësi jetike për mbarë njerëzit në botë, siç janë çrrënjosja e urisë, zvogëlimi varfërisë dhe ulja e papunësisë”.
Duke vijuar në këtë drejtim, ai tha se “viktima të pafajshme të krizës financiare dhe ekonomike globale ranë njerëzit me të ardhura të pakta ose pa të ardhura”, Kreu i Shtetit evidentoi të dhëna konkrete ku “kostot e rritura të ushqimit bënë të mundur që 44 milion njerëz të shkojnë shumë më poshtë kufirit të varfërisë ekstreme, që do të thotë mbijetesën e tyre me ekuivalentin e 1.25 US$/ditë”.
Nisur nga kjo situatë, Presidenti Topi parashtroi në fjalën e tij strategji të rëndësishme për përmirësimin e nevojshëm ekonomik, duke nënvizuar se “me përpjekjet tona, ne duhet t’i nxisim vendimmarrësit për shtimin e investimit publik dhe privat në bujqësi, si dhe në infrastrukturën rurale, që të zhvillohet më shpejt dhe më tej prodhimi bujqësor, në krahasim me atë që kemi arritur deri tani; që të rritet më tej aftësia e saj produktive, si dhe të rriten të ardhurat e fermerëve në të njëjtat nivele me ato të punëtorëve të sektorëve dytësor dhe terciar të ekonomisë”.
Pasi paraqiti të dhëna e shifra të gjendjes aktuale të çmimeve të produkteve kryesore të jetesës dhe ndryshimeve klimaterike në vendet me prodhime me ndikim të rëndësishëm për furnizim ushqimor bazë për mjaft vende të tjera të botës, Presidenti Topi vuri në dukje se “njerëzit e varfër janë të nervozuar nga rritja dramatike e çmimit të mallrave bazë ushqimore dhe dihet se ndikimi i tyre mund të vështirësojë kushtet delikate politike dhe shoqërore”.
Duke u ndalur edhe tek fenomeni i tretë shoqërues i urisë dhe varfërisë, tek papunësia, dhe tek shifra mesatare prej 10 për qind të të papunëve në vendet e rajonit të Evropës Qendrore dhe Juglindore, bazuar në llogaritjet e fundit në nivel botëror, Kryetari i Shtetit theksoi se “ekonomia e Shqipërisë është përmirësuar në mënyrë të dukshme gjatë dekadës së fundit”, se “reformat në zhvillimin e infrastrukturës, mbledhja e të ardhurave tatimore dhe administrimi i biznesit kanë bërë progres” dhe se “përveç efekteve të krizës financiare globale, ekonomia e Shqipërisë ka performuar më mirë se sa vendet e tjera në rajon duke pasur një rritje ekonomike mesatare vjetore prej rreth 5.5 për qind deri në vitin 2009”.
“Megjithatë, - vijoi më tej Presidenti i Republikës në fjalën e tij, - Shqipëria radhitet si një prej vendeve me të ardhura modeste në Evropë në lidhje me treguesit madhor të të ardhurave, që ndihmohen nga të ardhurat e remitancave nga puna e madhe e shqiptarëve jashtë”, duke evidentuar se “remitancat deri tani kanë qenë një katalizator domethënës për rritjen ekonomike në Shqipëri, ku përqindja e papunësisë është luhatur në kufirin 13 për qind”.
Në përfundim të fjalës, Presidenti shqiptar dha mesazhin e rëndësishëm se “ne duhet të përpiqemi më shumë që ta ndryshojmë të ardhmen e njerëzve që vuajnë nga uria dhe të keq ushqyerit, nga varfëria dhe papunësia sepse ndryshimi është ligj i jetës që kërkon ndryshimin e veprimeve tona për të ardhmen e afërt dhe më tej”.
(im/shqiptarja.com)