Topi sfidon Berishën i dekoron
akuzuesin, Hysen Shoshori

Topi sfidon Berishën i dekoron<br />akuzuesin, Hysen Shoshori
TIRANE- Presidenti në largim Bamir Topi vetëm pesë ditë përpara se t’i dorëzojë postin kreut të ri të shtetit, Bujar Nishani ka dekoruar Hysen Shoshorin, njeriun që ka akuzuar në mënyrë publike kryeministrin Berisha se i kishte dalë dëshmitar në gjyqin e diktaturës ndaj tij më 1975 duke kërkuar për të varje në litar.

Kështu dje Presidenti Bamir Topi i akordoi Hysen Shoshorit Medaljen e Mirënjohjes me motivacionin: “Për sakrificat dhe qëndresën e papajtueshme ndaj diktaturës
komuniste për aktet kurajoze dhe angazhimin jetësor në mbrojtje të vlerave të lirisë dhe demokracisë".

Mund të duket një dekorim normal ky i bërë dje nga kreu i shtetit në largim Bamir Topi për një ish-të burgosur të diktaturës komuniste sikurse është Hysen Shoshori. Por duke parë se kush është personi i dekoruar, çfarë e lidh atë me emrin Sali Berisha dhe për më tepër marrëdhëniet e acaruara të Topit me kreun e qeverisë, dekorimi përtej vlerësimit për vuajtjet e këtij ish-të burgosuri nga diktatura, është parë dhe si një provokim për kryeministrin Berisha.

Hysen Shoshori është njeriu që ka akuzuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë ish-kreun e opozitës së parë shqiptare, njëherësh kryeministrin aktual Sali Berisha se i ka dalë dëshmitar të vitin 1975, duke tundur në dorë një trakt të Shoshorit që e kishte mbajtur për 12 vite të fshehur dhe kishte kërkuar varjen në litar për të. Një akuzë tepër e rëndë kjo, për të cilën Berisha është shprehur se nuk qëndron. Por sërish Shoshori ka akuzuar në intervista se ishte tepër i kthjellët në kujtesën e tij dhe e mbante mend Sali Berishën që kishte kërkuar në mes të sallës së gjyqit varjen në litar për të, duke tundur traktin që Shoshori kishte vënë në muret e fakultetit të mjekësisë 12 vite para dhe që Berisha e kishte ruajtur sipas tij, me fanatizëm.

Ndërkohë që Topi, me sa duket duke firmosur dekretet e fundit si president, nuk ka munguar që të përfshijë në listën e të dekoruarve dhe viktimën e Sali Berishës, sipas pretendimeve të vetë Shoshorit. Po kush është Hysen Shoshori, si mbahet mend në vitet '70-të. Eshtë ende një nga misteret e mëdha të së shkuarës. Për tiranasit e vjetër emri i tij ka qenë mjaft i njohur. Shoshori konsiderohej si një nga mendjet më të "krisura" të kohës, me një guxim të jashtëzakonshëm që krejt i vetëm, kishte vendosur të sfidonte diktaturën e Enver Hoxhës. Edhe sipas aktakuzës, edhe sipas asaj që ai vetë ka pranuar fillimisht në proces e më pas edhe publikisht me gojën e tij gjatë periudhës 1961-1974 ka shpërndarë 41 100 trakte. Nga gjithë ky mal urrejtje, poshtërimi publik për diktaturën, organet e saj kanë mundur të sigurojnë një sasi prej 277 copësh.

Sipas Shoshorit njërën nga ato e ka pasur kryeministri i sotëm, kurse sipas bashkëvuajtësve të tij, një tjetër trakt ishte dorëzuar nga një tjetër emër publik në Shqipëri, deri vonë diplomat. Dhe diplomati shqiptar, u penalizua fillimisht për një gjë të tillë në 1996, duke ju hequr e drejta e konkurimit për deputet, por që më pas mundi të rifitojë pastërtinë e figurës së tij. Në gjyq, ndryshe nga sa pretendohet për Berishën ai thjesht ka shpjeguar rrethanat në të cilat ka gjetur traktin.

Sipas vendimit të gjykatës së Tiranës, të datës 10 shkurt 1975, vërtetohet se Shoshori ka pranuar se ka vepruar me ndërgjegje të plotë: "duke pasur për qëllim që traktet t´i lexonin njerëzit që populli të bëhej sa më i pakënaqur nga Partia dhe të ngrihej për të shpëtuar nga kthetrat e diktatorëve…", shkruhet në këtë vendim. Por Shoshori nuk është ndalur këtu. Me një guxim që edhe sot ngjan i jashtëzakonshëm, ai arrinte deri aty sa të shkruante: "…ai njeri që ka një armë dhe nuk shtie në udhëheqësat kryesorë dhe në levat e tyre si të këshillave të lagjeve është i lig, është frikacak, është servil…"

Ky trakt mban datën 22 janar 1968. Mbas një viti të gjatë në hetuesi, Shoshori fillimisht dënohet me vdekje nga gjykata e Tiranës, por në një rikualifikim vërtet të habitshëm të veprave penale me të cilat e akuzonte drejtësia komuniste, pleniumi i gjykatës së lartë e dënon atë me 25 vjet heqje lirie. Më pas, për të fillon kalvari i gjatë i burgjeve. Spaç, Burrel dhe së fundi Sarandë, ku ishte nga të fundit të burgosur politikë të liruar nga burgu. Mbas 16 vjetësh në qeli, pa u vizituar kurrë nga të afërmit e tij, në 17 mars 1991, Shoshori do kthehej sërish në Tiranë.

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria skualifikohet nga Euro 2024, a ju pëlqeu loja e Kombëtares



×

Lajmi i fundit

Operacion në zhvillim e sipër, SPAK 20 masa sigurie në lidhje me inceneratorin e Tiranës! Masa për kompanitë guackë, dyshohet edhe për 2 të lidhur me median

Operacion në zhvillim e sipër, SPAK 20 masa sigurie në lidhje me inceneratorin e Tiranës! Masa për kompanitë guackë, dyshohet edhe për 2 të lidhur me median