TIRANE- Pronarët janë shfaqur shumë të shqetësuar në lidhje me fatin e faturës financiare që shteti ka për të paguar për pronat e tyre të fituara në Gjykatën e Strasburgut. Të bllokuar 18 muaj më parë pas një marrëveshjeje mes Gjykatës së Strasburgut dhe qeverisë shqiptare të drejtuar nga ish-kryeministri Berisha, javën e parë të marsit të gjitha efektet financiare të bllokuara nga kjo marrëveshje rifillojnë. Në këtë këndvështrim përpos 8 vendimeve të gjykatës për pronarët me një faturë prej 37 milionë euro hyjnë në fuqi automatikisht sipas precedentit dhe 60 vendime të tjera të pronarëve të ankuar në Strasburg, duke e rritur akoma më shumë faturën financiare për shtetin shqiptar.

Sekretari i Përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Agim Toro, shprehet për gazetën tonë se nuk është në dijeni të marrjes së një vendimi për shtyrje afati nga Gjykata e Strasburgut. Ai thotë se ditën e sotme do ketë një takim me përfaqësuesin e Këshillit të Evropës në Tiranë në lidhje me këtë çështje. “Unë nga ju po e dëgjoj për këtë vizitë të delegacionit të shtetit shqiptar në Strasburg për të arritur një marrëveshje për shtyrje afati.

Nuk e di të jetë arritur marrëveshja. Kam kërkuar dhe do të takohem nesër(sot) me përfaqësuesin e Këshillit të Evropës në Tiranë për të marrë vesh të vërtetën”, deklaroi Toro. “S’mendoj që vendimet gjyqësore të shtyhen sepse dëshiron qeveria. Të drejtat e njeriut janë mbi të drejtën e shtetit. Shteti shqiptar siç mori borxh për të shlyer borxhet e biznesit, të marrë borxh e të na shlyejë dhe ne pronarët. Nga informacionet që kam unë s’më kanë konfirmuar se ka marrëveshje. Vullneti i gjykatës s’mendoj se do të varet nga vullneti apo dëshira e një qeverie, në rastin konkret qeverisë shqiptare”, ka qënë deklarata e Toros.

Shkrimi u publikua sot (19.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)