Korrupsioni duhet të luftohet nga të gjitha nivelet, në të gjitha nivelet e qeverisë, nga më të mëdhenjtë deri te më të vegjlit, sepse kjo nuk është vetëm punë e zyrtarëve qeveritarë, por është edhe një çështje e shoqërisë civile. Kështu ka deklaruar ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracy Jacobson gjatë një seminari që trajton pikërisht depërtimin e fenomenit në institucionet e Kosovës, të organizuar nga instituti George Marshall.

Sipas diplomates së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rolin primar në suksesin e luftës kundër korrupsionit e ka qeveria, por edhe media e shoqëria civile kanë peshën e tyre.

“Korrupsioni është problem në çdo shtet, sidomos në prokurimin publik, prandaj inkurajoj gjithë zyrtarët që në vitet e ardhshme Kosova të ketë një renditje më të mirë në luftën kundër tij”, tha Jacobson.

Ndërkohë ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi e cilësoi luftën ndaj korrupsionit si një sfidë jetike të qeverisë, e cila sipas tij ka ndërmarrë një sërë masash ligjore.

“Viti 2013 do të jetë viti i implementimit të ligjeve dhe i përmirësimit të imazhit së pari të institucioneve para qytetarëve të Kosovës dhe më pas i Kosovës para botës”, u shpreh Kuçi.

(Gre.M/Shqiptarja.com)