TIRANE - Falsifikimi i një licence për transportin e udhëtarëve ka bërë që kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Gjon Marku, bashkë me një person tjetër, me inicialet D. S., të vihen dje në hetim. Marku i zgjedhur nga PD-ja, në vitin 2011 është vënë nën akuzë për falsifikim, ndërsa hetimi i tij është duke u bërë në gjendje të lirë. Ndërkaq edhe Policia e Tiranës ka ngritur një akuzë të dytë ndaj kryekomunarit të Bërzhitës, Genc Drita, i cili është vënë në pranga për korrupsion. Tani Drita është akuzuar për trafikim të mjeteve motorrike, pasi një makinë “Land-Rover” në përdorim të tij, rezulton të jetë e vjedhur në Itali në vitin 2008.

Falsifikimi nga Marku
Kreu i Bashkisë së Vaut të Dejës Gjon Marku është vënë në hetim dhe po ndiqet penalisht në gjendje të lirë, për akuzën e “falsifikim të licencës për transportin ndërqytetës të udhëtarëve”. Policia e Shkodrës ka bërë të ditur mëngjesin e djeshëm se, procedimi penal ndaj kryebashkiakut Marku ka nisur më 25 Shtator. Por bashkë me të është duke u ndjekur penalisht edhe administratori i shoqërisë së Transportit, 56-vjeçari me inicialet D.S. Burimet zyrtare thanë se, procedimi penal ka filluar pasi Gjon Marku në bashkëpunim me administratorin e kompanisë së udhëtarëve, kanë falsifikuar një licencë për transport udhëtarësh, ndërqytetëse në emër të një shoqërie transporti, e cila nuk i plotësonte kushte.

Akuza per Driten
Policia e Tiranës ka bërë të ditur ditën e djeshme se, ndaj kreut të Komunës së Bërzhitës, Genc Drita, i arrestuar në 5 shtator për korrupsion pasiv, është ngritur një tjetër akuzë. Këtë herë ai është duke u hetuar trafikimin e një automjeti të vjedhur në Itali, disa vite më parë. Policia e Tiranës njoftoi zyrtarisht dje se, “Genc Drita dyshohet se ka trafikuar automjetin i tip “Land Rover”, me targë 9696YG27, ku nga verifikimi në sistemin e Interpolit, ka rezultuar se ky mjet është denoncuar si i vjedhur në Itali me datë 31 dhjetor të 2008-ës”. Drita është vënë në pranga pasi është kapur në flagrancë duke marrë 4000 euro për të lëshuar një leje mjedisore për një lokal në komunën e Bërzhitës.

*Shkrimi u botua ne Shqiptarja.com (print) dt. 27 Shtator 2014
 
Redaksia Online
Shqiptarja.com