Trafikimi njerëzor, Klosi : Duhet
kod publik, Tahiri: Burg prindërve

Trafikimi njerëzor, Klosi : Duhet<br />kod publik, Tahiri: Burg prindërve
Në kuadër të muajit antitrafik është mbajtur sot në Tiranë, Konferenca Kombëtare Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, e organizuar nga Ministria e Brendshme dhe Koordinatori Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave si dhe me mbështetjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, të Arsimit dhe asaj të Drejtësisë.
 
Në konferencë u diskutua mbi mënyrat dhe rrugët që duhen ndjekur për të parandaluar këtë fenomen shqetësues, jo vetëm për Shqipërinë por edhe në rajon e më gjerë.
 
Ministri i MMSR-së Blendi Klosi tha se për të luftuar këtë fenomen kriminal, duhet të angazhohet përveç qeverisë, edhe shoqëria. Kështu, sipas tij është i nevojshëm hartimi i një kodi publik, që do të përfshijë shoqërinë në identifikimin dhe rehabilitimin e viktimave të trafikut njerëzor.
 
Për ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, trafikimi njerëzor është skllavëria moderne e ditëve të sotme dhe si e tillë duhet trajtuar si një dramë shoqërore dhe jo vetëm personale. Trafikimi dhe shfrytëzimi i fëmijëve në situatë rruge, ishte një tjetër shqetësim i ministrit Tahiri, për të cilin ai fajësoi më së pari familjet e tyre.
 
Për këtë arsye, Tahiri deklaroi se Policia e Shtetit do të aplikojë të gjithsë legjislacionin, ku do të dënohen me 10 vite heqje lirie prindërit që identifikohen në kushtet e braktisjes së fëmijëve.
 
Të pranishëm në konferencën kombëtare kundër trafikut të personave ishin edhe ambasadori amerikan Donal Lu, ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin dhe Zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së, Robert Ëilton.

Klosi: Duhet hartuar një kod publik për parandalimin e trafikut njerëzor

Sipas ministrit të MMSR-së Blendi Klosi duhet të hartohet një kod publik, në mënyrë që edhe shoqëria të jetë e përfshirë në identifikimin e viktimave të trafikimit.

Duhet të punojmë që këto ngjarje të parandalohen, duhet të ngremë një kod shoqëror në parandalimin e këtij fenomeni. Ne si ministri po punojmë e do kërkojmë një përpjekje të përbashkët, për dy aspekte, për deinstiuconalizimin e institucioneve që kyejnë shërbime sociale. Është e pamundur që në mënyrën e vjetër të kemi trajtim, rikuperim dhe riintegrim. Shoqëria duhet të jetë më e përfshirë. Ndërtimi i një kodi publik se si duhet të reagojë shoqëria shqiptare kur identifikon ngjarjet e para që pastaj kthehen në femonene negative. Ne duhet të reagojmë si shoqëri”, është shprehur Klosi.

Tahiri: 10 vjet burg për ata prindër që braktisin fëmijët

Ndërsa sipas ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, trafikimi i personave është forma e skllavërisë moderne, e cila sipas tij është një sfidë jo vetëm e jona, rajonale, por edhe globale.

Ne realisht konsiderojmë që nëse skllavëria moderne ka një emër është padyshim trafikimi i personave. Kjo është jo vetëm një sfidë e rajonit por është dhe globale. Kush mendon që një person i identifikuar si viktimë e trafikimit ose si viktimë  e mundshme e trafikimit është një dramë personale dhe individiale, sapo ka bërë gabimin në mënyrë indirekte të favorizimit potencial të vuajtjeve të kësaj makinerie kriminale. Është një viktimizim kolektiv i shoqërisë, dramë sociale, një tragjedi shoqërore dhe si e tillë vetëm vetedija për ta konsideruar një çështje të të gjithëve mund të na bëjë të kontribuojmë të gjithë bashkë”, u shpreh Tahiri.

saimir tahiri

Më tej në fjalën e tij ministri i Brendshëm u ndal tek fëmijët në situatë rruge, pasi janë këto fëmijë që sipas Tahirit bien më së shumti pre e trafikimit dhe shfrytëzimit.

Ai tha se numri i fëmijëve në situatë rruge është më i lartë se ai që identifikohet sot, në rreth 340 të tillë dhe se fëmijët janë sëpari viktimë e familjes së tyre.

“Fëmijët në situatë rruge, të identifikuar sipas një plani veprimi, sot për sot janë 340, por janë shumë më larg sesa shifrat reale të këtij fenomeni. Janë viktimat më të pafajshme të një sistemi familjar, shoqëror, institucional që e ka toleruar deri më sot këtë lloj trafikimi nën hundën e të gjithëve. Dhe unë besoj që kemi hedhur një hap deciziv në trajtimin  e këtij fenomeni ashtu siç i takon".

Ndaj për të parandaluar këtë fenomen kriminal, Tahiri tha se do të dënohen me 10 vite burg ata prindër që identifikohen në kushtet e braktisjes së fëmijës.

"Ndaj Policia e Shtetit, por të gjitha hallkat institucionale, do fillojnë menjëherë të kërkojnë aplikimin rigoroz të të gjithë legjislacionit në fuqi, përfshirë edhe legjislacionin penal, ku parashikohet dënim deri në 10 vjet heqje lirie, për të gjithë prindërit që identifikohen në kushtet e braktisjes së fëmijës. Dhe nxjerrja, shfrytëzimi i fëmijës më së pari nga prindërit, për të kërkuar lëmoshë në kryqëzim, është sigurisht kusht i nevojshëm për të lejuar pasojat kriminale të braktisjes së fëmijës dhe të shfrytëzimit. deklaroi ministri i Brendshëm", tha Tahiri.

Tahiri gjithashtu e konsideroi si një akt kriminal edhe dhënien e lëmoshëve nga ana e qytetarëve, ndaj këtyre fëmijëve, pasi sipas tij lëmosha vetëm ushqen sistemin e paligjshëm kriminal të trafikimit të fëmijëve.

"Sado e dhimbshme dhe sado njerëzore të duket dhënia e ca parave një fëmije që të del në kryqëzimin e një rruge apo të del përpara për të kërkuar lëmoshë, është akti thuajse kriminal që bën secili prej nesh për të mbajtur në këmbë një sistem të padukshëm të shfrytëzimit të fëmijëve. Dhe në qoftë se një orë e më parë heqim të gjithë dorë nga ky akt, kemi krijuar kushtet e nevojshme për institucionet, për shoqërinë civile dhe për shoqërinë në tërësi që përfundimisht, të nxjerrë fëmijët nga kjo makineri e shfrytëzimit të prindërve apo të çdo lloj shfrytëzuesi tjetër", u shpreh ministri i Brendshëm.

Pavarësisht hapave të ndërmarrë në parandalimin e këtij fenomeni, Ministri Tahiri u shpreh se mbetet ende shumë punë për të bërë, duke përsëritur se ky nuk duhet të jetë vetëm një proritet i qeverisë por edhe i shoqërisë

"Do duhen shumë përpjekje për të bërë të mundur që Shqipëria të klasifikohet aty ku e meriton aspirata jonë dhe e shiptarëve në listën e vendeve që nuk kanë probleme të mëdha me trafikimin. Kur morëm detyrën, Shqipëria ishte në listën e vendeve në vëzhgim, që nënkuptonte institucione dhe sistemin e drejtësisë që nuk shfaqnin vullnet për të luftuar trafikimin e personave. Vjet Shqipëria u klasifikua nga DASH, ose më sakt doli nga lista e vendeve në vëzhgim. Kjo është arritje inkurajuese por e pamjaftueshme”, tha Tahiri.

Në të njëjtën linjë, ishte edhe ambasadori amerikan Donal Lu, i cili tha se ndonëse janë bërë hapa përpara në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore, duhet bërë më shumë në fushën penale dhe edukimin qytetar.

Nga statistikat e Ministrisë së Brendshme, gjatë këtij viti, janë identifikuar 340 fëmijë në situatë rruge. Për 6–mujorin e parë të vitit 2015, Policia e Shtetit ka evidentuar gjithsej 44 çështje, ose 15 vepra penale më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2015, janë trajtuar gjithsej 13 çështje në Gjykatë dhe janë dhënë 10 dënime (9 dënime gjatë gjithë vitit 2014)


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Fier/ Gruaja bie nga kati i shtatë, ndërron jetë

E rëndë në Fier/ Gruaja bie nga kati i shtatë, ndërron jetë