Tirane- Dy grupe kriminale që trafikonin lëndë narkotike cannabis sativa nga SHBA dhe nga Tajlanda, në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar janë goditur nga policia e Tiranës.
Tre persona janë arrestuar ndërsa janë shpallur në kërkim 3 të tjerë, pjesëtarë të këtyre 2 grupeve. Gjatë operacionit janë sekuestruar 4 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa me përqindje të lartë THC, që dyshohet se do të shiteshin në Tiranë dhe në Elbasan.
Sekuestrohet edhe një sasi kokaine që u gjet në banesën e njërit prej këtyre shtetasve, me përmbajtje të lartë THC, e cila i jep forcë lëndës narkotike dhe është e preferuar nga përdoruesit.
Lënda narkotike TCH ka cilësi shumë të lartë dhe në treg kap çmim që krahasohet gati me kokainën. 3 gramë kanabis me përmbajtje THC kushton rreth 100 euro.
Njoftimi i Policisë:
Si rezultat i operacionit të koduar “Destinacioni 1” u godit një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike cannabis sativa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar. Për këtë veprimtari kriminale, u arrestua në flagrancë shtetasi E. H., 34 vjeç, banues në Elbasan, dhe u shpall në kërkim shtetasi E. D., 24 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2.3 kg cannabis sativa me përqindje të lartë THC, e parashikuar për t’u shitur në Elbasan, me vlerën 45 000 euro, 170 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë që u gjet në banesën e shtetasit E. D., shuma parash, celularë dhe automjete të përdorura për këtë veprimtari kriminale.
-Si rezultat i operacionit të koduar “Destinacioni 2” u godit një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike cannabis sativa nga Tajlanda në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar. Për këtë veprimtari kriminale u arrestuan në flagrancë shtetasit: Bruno Lila, 19 vjeç dhe një shtetas 17 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Bruno Lila 18 vjeç dhe Ermal Halili, 18 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1.7 kg cannabis sativa me përqindje të lartë THC, e parashikuar për t’u shitur në Tiranë, me vlerën 23 000 euro, shuma parash, celularë dhe automjete të përdorura për këtë veprimtari kriminale.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtyre 2 rasteve dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.