Trafiku i drogës drejtohej nga
qelia, pritet mega-operacioni

Trafiku i drogës drejtohej nga<br />qelia, pritet mega-operacioni
TIRANE- Një superoperacion antidrogë, me bazë të gjerë ndërkombëtare, pritet të finalizohet së shpejti dhe mendohet që rezultatet të jenë tepër befasuese, pasi është konfirmuar fakti se disa prej bosëve të drogës, i komandojnë linjat që nga qelitë e burgut, në Shqipëri. Pra, pritet që kapove tu komunikohen akuzat atje ku janë, në burg, ndërsa një valë arrestimesh do të prekë disa shtete. Lajmi konfirmohet për gazetën “Shqiptarja.com” nga burime të sigurta pranë Policisë së Shtetit, të cilat nuk pranuan të japin detaje të hollësishme rreth aksionit, pasi rrezikohet dekonspirimi total i tij dhe fshehja apo largimi i të implikuarave. Prandaj, për këtë arsye, redaksia e aktualitetit, do ta ruajë paktin e mosrrjedhjes së informacionit, qoftë edhe duke mos saktësuar linjat, emrat apo vendet e përfshira në operacion. Ky nuk është rasti i parë i aksioneve të përbashkëta antidrogë, pasi pak ditë më parë gjatë operacionit “Ellenica” rezultoi se Indrit Dokle, drejtonte trafikun e drogës, nga burgu.

Superoperacioni ndërkombëtar
Të njëjtat burime policore thanë se prej disa muajsh është organizuar puna prej ekspertëve të antidrogës, në bashkëpunim me prokuroritë përkatëse, për të bashkërenduar hetimet, përgjimet dhe grumbullimin e provave të mjaftueshme që çojnë në vërtetimin e faktit se ky grup i strukturuar kriminal, me 2 a tri baza, organizon trafikun ndërkombëtar të drogës, kryesisht heroinë dhe mariuhanë. Në këtë operacion marrin pjesë specialistë nga Italia, Gjermania, Austria, Hungaria, Shqipëria, Greqia, Maqedonia, etj, ndërsa janë grumbulluar mijëra faqe hetimore, me episode konkrete të trafikimit të dhjeta apo qindra kilogramëve drogë.

Ai që spikat është fakti se një pjesë e madhe e këtij trafiku droge është organizuar dhe vijon ende të komandohet nga një prej burgjeve më të njohura shqiptare, ku momentalisht vuajnë dënimin disa bosë të botës së krimit (Në Shqipëri janë të famshëm paraburgimi i 313-ës, burgu i Peqinit, burgu i Fushë-Krujës, i Burrelit, etj). Nga brenda hekurave gjallon trafiku i drogës, ku komanda jepet me telefon, përmes nënshtrimit të të gjitha hallkave shtetërore, duke nisur nga Policia e Shtetit, vetë sistemi i burgjeve, prokuroria dhe gjykatat.

Drogë nga burgu
Nuk kanë qenë të pakta rastet, kur autoritetet përgjegjëse kanë zbuluar rrjete të mëdha kriminale, që organizonin trafikun e drogës që nga brenda qelive të burgut. Shqiptarët jashtë kufijve, që kanë përfunduar në hekura, shpeshherë janë shndrruar në protagonistë të trafiqeve ilegale, të cilat i komandonin nga burgu, ndërsa në Shqipëri vihen re vetëm disa episode të fshehura, pasi bota e nëndheshme këtu është më e organizuar.

Më parë ishin pëshpëritur fjalë se disa VIP-a, të arrestuar për krime të ndryshme, jepnin urdhëra që nga burgu, por asgjë s thuhej konkretisht deri pak ditë më parë, kur operacioni “Ellenica” zbuloi se Endrit Dokle, i arrestuar dhe dënuar si anëtar i Bandës së Durrësit, ishte bosi i njërës prej linjave të drogës dhe jepte komanda prej qelisë. Ky operacion antidroge i policisë italiane ka vënë në pranga 71 persona dhe shkatërroi një rrjet trafiku droge në Ballkan. Operacioni blic i koduar me emrin ‘Ellenica” është shtrirë në Itali, Shqipëri, Bosnjë dhe Kosovë. Policia ka arritur të sekuestrojë 2 kuintalë heroinë dhe 5 kuintalë mariuhanë.
 
Shkrimi u publikua sot (1.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Anti-berishistët mbledhin firmat për partinë e re, a do të mbështetet?



×

Lajmi i fundit

Ushtria izraelite: Një marinar i vrarë dhe dy të plagosur nga sulmi i Hezbollahut

Ushtria izraelite: Një marinar i vrarë dhe dy të plagosur nga sulmi i Hezbollahut