TIRANE- Në krye të dy grupeve kriminale në Shqipëri dhe Kosovë që trafikonin kokainën nga Amerika Latine dhe e përpunonin atë në Laç dhe Prishtinë duke e trafikuar më pas në vendet e Evropës, qëndron një shtetas shqiptar me banim në SHBA. Raport-shërbimet e kryera nga Shërbimi Informativ Shqiptar dhe bisedat telefonike të përgjuara tregojnë se shtetësja Valentina Tufina me nofkën “tezja” mbante kontakte të shumta me shtetasin Gëzim Çelaj në Laç.

Njëherësh kontakte të shumta kjo shtetase, që tashmë është arrestuar në Kosovë, ka mbajtur dhe me një person i cili telefononte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i jepte direktivat lidhur me ngarkesat që kishte dërguar për llogari të shtetasit Gëzim Çelaj, ky i fundit një ish-shef komisariati. Sipas burimeve Çelaj dhe shtetasi shqiptar me banim në Amerikë, nuk kanë pasur asnjë takim njëri me tjetrin, pasi komunikimi mes tyre bëhej vetëm mes shtetases Valentina Tufina, e cila në përgjimet e implikimi i prokurorisë shfaqet mjaft aktive në këto komunikime.

Hetimet nga DEA
Shtetasit shqiptar me banim në Amerikë në trafikun ndërkombëtar të kokainës ka aktivizuar në hetime dhe DEA-n Amerikane. Mësohet se informacionet për prezencën e shtetasit Shqiptar në Amerikë, janë shkëmbyes mes dy shteteve dhe se tashmë autoritet amerikane, janë duke punuar për arrestimin e këtij personi. Shtetasi shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, është njeriu që organizonte këtë trafik kokaine nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të Shqipërisë dhe Kosovës. Prej këtej sasia e drogës shpërndahej në grupe të veçanta të cilat e trafikonin për llogari të tyre në vendet e Europës.

Trafiku nga arresti I shtëpisë
Një muaj më parë me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda forcat RENEA kanë arrestuar disa prej anëtarëve të këtij grupi kriminal dhe më konkretisht vëllain e Gëzim Çelaj, Kujtim Çelaj, korrierin Reald Hysollin, ndërkohë që është shpallur në kërkim shtetasi Gëzim Çelaj. Ky i fundit drejtonte trafikun e drogës nga “arresti i shtëpisë”, masë kjo që ishte vendosur nga gjykata e Tiranës, si pasojë e një procesi penal për ekstradimin e tij në Itali, ku akuzohet për trafik prostitucioni. Ndërkohë që shtetësja Valentina Tufina është arrestuar në Kosovë, së bashku me katër persona të tjerë të implikuar në këtë trafik ndërkombëtar të trafikut të drogës.

Gjatë operacionit është sekuestruar 7 kile kokainë dhe në pranga ka rënë korrieri i grupit shtetasi Reald Hysolli, teksa ky i fundit po sillte sasinë e drogës nga Kosova në drejtim të Shqipërisë. Pas kapjes së tij, policia ka sekuestruar në Laç dhe Kosovë rreth 50 kg lëndë narkotike kokainë së bashku me përzierësin si dhe një sasi të konsiderueshme marjuane. Para gjykatës së Krimeve të Rënda Hysolli ka deklaruar se këtë veprim të kundraligjshëm e ka kryer për shkak të vështirësisë financiare. Për të nxjerrë ndonjë lek ai është interesuar për blerjen e drogës dhe shitjes e saj jashtë Shqipërisë. Hysolli ka përjashtuar super të kërkuarin Gëzim Çelaj nga kjo veprimtari kriminale dhe se ka marrë gjithçka përsipër.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 26 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)