Gjykata e Posaçme la në fuqi  këtë të premte (17 prill) masat e sigurimit ‘arrest në burg’ për Lulzim Pepajn, Florian Markun dhe Anton Kolën, anëtarë të grupit kriminal “Pepa”. SPAK thotë se vetëm në 2020-n grupi arriti të fuste në Evropë 7.5 tonë kokainë. 

Paralelisht me arrestimet, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka sekuestuar 232 pasuri me vlerë 12 milionë euro që lidhen me Jetmir Pepën, i shpallur në kërkim si drejtues i grupit. Në kërkim janë shpallur edhe 7 të tjerë, disa prej cilëve SPAK thotë se nuk ndodhen në territorin shqiptar.

Grupi u godit në një operacion të zhvilluar të mërkurën, ku në total u firmosën 11 urdhër-arreste. Hetimin Prokuroria e Posaçme e kreu në bashkëpunim me ndërkombëtarë (Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese në Francë, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar), ndërsa SPAK thotë se ka dokumentuar 8 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha nga Amerika Latine në vendet evropiane, kryesisht në Holandë.

Ndër ngarkesat më të rëndësishme, ajo e 7-8 Prill 2020 kur nga Peruja në drejtim të Roterdamit u trafikuan 1,018 kg kokainë (me vlerë 1.3 milionë euro); 2020 kg kokainë e trafikuar 6 qershorin 2020 nga Ekuadori drejt Holandës, apo edhe episodi 500 kg të tjera të trafikimit nga Kolumbia dhe një sasi të madhe prej 1600 kg kokainë gushtin e 2020-s.

Koka e grupit Jetmir Pepa, i njohur si Mir Pepës, është lakuar shpesh në media. Ngjarja më e bujshme është ajo e konfliktit të motrave Berisha të cilat dhunuan blogeren Klea Prenga, pasi dyshonin se ajo kishte krijuar raport intim me Pepën. Ky i fundit ishte në një romancë me Mariela Berisha, më të cilën ka edhe një fëmijë. Prej janarit 2025, Mir Pepa rezulton në kërkim nga Policia e Tiranës pasi qëlloi me armë zjarri në Parkun Olimpik në një koncert festiv natën e ndërrimit të viteve.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë