Vetëdorëzohet në polici Nazmi Shahini, i njohur edhe me mbiemrin Drazhi, i kërkuar nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal për trafik ndërkombëtar droge dhe grup të strukturuar kriminal. Vënia e tij në pranga u bë pasi ndaj Nazmi Shahini alias Drazhi, Gykata e Posaçme ka caktuar në mungesë masën e sigurisë arres në burg. Sipas SPAK, grupi ku ai bënte pjesë ka vepruar gjatë viteve 2020-2021 dhe ka trafikuar në total 8.1 ton drogë, si kokainë e kanabis. Droga transportohej nga Brazili, Ekuadori, Kolumbia, Spanja dhe Maroku drejt Italisë, Belgjikës, Holandës, Spanjës dhe shteteve të tjera evropiane.

SPAK dërgoi për gjykim grupin e sofistikuar të krimit të organizuar, ku bënte pjesë Nazmi Shahini (Drazhi) më 8 korrik të këtij viti. Ata dyshohet se trafikuan kokainë nga Amerika Latine, drejt vendeve të BE-së dhe Britanisë së Madhe në vitet 2020-2021. Një vit më parë, SPAK nxori masat e sigurisë për 15 emra të njohur pjesë e trafikut. Pjesë e grupit ishn Artur Hoxhosmani, Genti Nderjaku (i njohur edhe si Kili apo  Ekil Nderjaku, Devid Patrut (i njohur edhe me 3 emra të tjerë), Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej për SPAK ishin drejtuesit dhe financuesit e trafikut të drogës, ndërsa pjesëmarrës në grup ishin Klevis Hoxhosmani, Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Amar (alias Dritan) Shkëmbi, Amer (alias Ilir) Lloshi, Bashkim Haxhija, Julian Meçaj, Bledar Polovina dhe Endrit Sinani.

Të gjithë së bashku, edhe me bashkëpunëtorë të tjerë ende të paidentifikuar, sipas SPAK, kanë koordinuar aktivitete të ndryshme kriminale edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “SkyECC”, të cilat janë në dispozicion të drejtësisë, të siguruara nga autoritetet franceze. Gjithsej 8126 kg drogë që SPAK ka vërtetuar se është trafikuar nga rrjeti është sjellë në Evropë nga vende si Brazili, Ekuadori apo Kolumbia kur bëhet fjalë për kokainën, ndërsa kanabisi e hashashi nga Spanja. E gjithë sasia është shitur në vendet e Bashkimit Evropian.

Korrikun e vitit 2025, SPAK arrestoi vëllezërit biznesmenë Artur dhe Klevis Hoxhosmani, biznesmenin e “Cinco Cavalli” Ermir Ndreaj, Ilir Lloshajn dhe një dyshe që më herët kishin qenë rivalë, por në këtë dosje, dalin bashkëpunëtore; i penduari i drejtësisë Erion Alibej dhe ish-kreu i bandës së Durrësit, Plaurent Dervishaj, të cilëve iu komunikua masa në qelitë e paraburgimit. Gjatë kontrolleve në shtëpinë e Artur Hoxhosmanit u gjetën 3 pistoleta pa leje, ndërsa më vonë në burg atij iu gjet një Iphone 17. Grupit i janë sekuestruar sasi të mëdha parash, makina luksoze, një skaf prodhim i vitit 2025, bizhuteri, llogari bankare etj.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë