ITALI - “Ma ke shkatërruar jetën në këto 15 vite, por tani ka marrë fund”. Ky ishte shënimi i fundit që Astrit Koni, 59 vjeç, shkroi para se t’i jepte fund jetës duke u hedhur nga kulla e kalasë së shekullit XVI në Cossombrato, një fshat me vetëm 500 banorë në provincën e Astit, mes kodrave të Monferratos.
Pak më parë, Arturo – siç e thërrisnin të gjithë që kur kishte mbërritur në Itali nga Shqipëria 20 vite më parë – me profesion kopshtar, kishte hapur portën e ndërtesës me çelësat që përdorte zakonisht për punën në kopsht dhe, pasi kishte arritur në katin e fundit dhe kishte hapur një nga dritaret, ishte hedhur në tokë para syve të të pranishmëve.
Ishte ora 15:00 e pasdites së të premtes. Askush nuk e priste që vetëvrasja e atij burri kaq të qetë të fshihte një tragjedi shumë më të madhe. U deshën edhe 24 orë për ta zbuluar këtë, pas denoncimit për zhdukje të bërë nga vëllai i ish-bashkëshortes, Drita Mecollari, 55 vjeçe. “Motra ime nuk është kthyer në shtëpi prej dy ditësh, më ndihmoni”, u kishte thënë ai karabinierëve, përpara se të ndiqte çdo lëvizje të zakonshme të saj: shtëpia, bari. Derisa sot pasdite u gjetën ajo dhe partneri i ri, me të cilin kishte disa muaj që frekuentohej, në një hendek pranë koshereve të bletëve që po sistemonin. Të dy pa jetë.
Drita dhe i dashuri i saj (Bardhok Gega, 57 vjeç), të dy shqiptarë, ishin vrarë me goditje kosoreje. Sipas një rindërtimi të parë, burri, me të cilin gruaja kishte pasur një lidhje 20-vjeçare, kishte tentuar disa herë të rikthehej me të, por ajo nuk kishte asnjë qëllim të rikthente atë marrëdhënie dhe, përkundrazi, kishte nisur një lidhje të re. I shtyrë nga xhelozia, ai mori kosoren, i arriti dhe i vrau.
Pasi kreu femicidin dhe vrasjen, Koni u drejtua drejt kalasë së Cossombratos, vend shumë i njohur për të, pasi punonte aty si kopshtar. Falë faktit që kishte çelësat, ai arriti të hynte në kullën mesjetare pa ngjallur dyshime dhe u vetëvra duke u hedhur në boshllëk.
Ngjarja ka lënë të tronditur gjithë komunitetin lokal. Shumë bashkëqytetarë e përshkruajnë si një punëtor të palodhur. Për rastin po hetojnë forcat e rendit për të rindërtuar me saktësi çdo fazë të ngjarjes. Për të sqaruar dinamikën e saktë, mbi trupat është urdhëruar kryerja e autopsisë./ Corriere della Sera
Komente









