Me flakët që mbulonin tavanin, tymin mbytës dhe turmën që shtynte duke shtypur ata që binin dhe mbeteshin pas, të rinjtë që donin të arratisen nuk shohin as daljet e emergjencës as shenjat që duhet t’i udhëhiqnin në katin e poshtëm të famshëm të barit Le Constellation, kurthi ku do të gjendeshin 37 nga 40 viktimat e tragjedisë së Natës së Vitit të Ri.

Dëshmitë e rreth dhjetë të mbijetuarve të masakrës së Crans-Montana janë të ngjashme, raporton Corriere della Sera. Aktet e dëshmive të tyre, të marra nga hetuesit dhe të shqyrtuara nga televizioni zviceran RTS, janë pjesë e dosjes që është depozituar për seancën e sotme të konfirmimit të arrestimit të pronarëve të barit, Jacques Moretti (në burg) dhe gruaja e tij Jessica (nën arrest shtëpie). "Ishte një mori njerëzish që po përpiqeshin të dilnin përmes derës së vogël të hyrjes (...). Nuk jam e sigurt nëse kishte dalje emergjence në katin e poshtëm", thotë një vajzë 16-vjeçare.

Njësoj është edhe dëshmia e një djali 17-vjeçar që kishte paguar 320 franga (rreth 340 euro) për një tavolinë në katin e parë, por ishte zbritur më poshtë kur shpërthyen flakët: “Njerëzve iu desh kohë për të kuptuar se kishte zjarr (...) më befasoi mungesa e daljeve të emergjencës.” Një ish-kameriere thotë se nuk ka parë "asnjë pajisje sigurie". Ajo kishte ardhur për të uruar një ish-kolege dhe kishte qëndruar për të ndihmuar sepse Jessica Moretti ia kishte kërkuar. Shoqja e saj vdiq. "Nuk pashë asnjë dritë të gjelbër që të tregonte daljet e emergjencës", konfirmon i dashuri i saj.

Zjarri u shua nga zjarrfikësit, policia sapo ka filluar të identifikojë viktimat e para dhe Jacques Moretti tashmë po përpiqet të heqë përgjegjësinë e rëndë për 40 viktimat dhe 116 të plagosurit: "Gjithçka është sipas standardeve, shenjat e gjelbra me logon që janë në pozita të ndryshme. Ka të paktën katër tregues drejtimi për daljet e emergjencës." Nuk është përpjekja e vetme për mbrojtje. Për hetuesit që e dëgjojnë si dëshmitar disa orë pas shpërthimit të flakëve, francezi 49-vjeçar përpiqet të japë versionin e tij edhe për shatërvanin e dritave. Ishte e qartë që ato ishin shkaktari i zjarrit që nga momenti i parë dhe në një video të vitit 2020 të regjistruar në katin e poshtëm, dëgjohet një kamarier që thërret “kujdes me sfungjerin”, ndërkohë që festohej blerja e një shisheje shumë të shtrenjtë shampanje duke e mbajtur me triumf me një shatërvan fishekzjarrësh të vendosur në qafën e shishes.

Shatërvanët kishin qenë gjithmonë specialiteti i shtëpisë, por në natën e Vitit të Ri, flakët i vunë zjarrin materialit të sfungjerit akustik që mbulonte tavanin e ulët. Kamarierja e dinte shumë mirë që materiali nuk ishte i padjegshëm, dhe Jacques Moretti, i cili e kishte blerë atë në një dyqan artikujsh për shtëpi dhe e kishte vendosur vetë, nuk mund të mos kishte dijeni për këtë. "Nuk është e pamundur", pranon ai, që shatërvanët të kenë shkaktuar zjarrin, por "ato nuk ishin të mjaftueshme për të ndezur sfungjerin akustik. Kam bërë disa teste", thotë ai, "duhet të ketë diçka tjetër." Por, sfungjeri mori zjarr.

“Ne kurrë nuk i lejojmë klientët të manovrojnë me shishet me shatërvanë”, thotë Jessica. Disa video e kundërshtojnë këtë pohim, duke treguar njerëz që e tundin shishen, por edhe një inspektim i bërë në ambientet e shkatërruara më 4 janar nga zyrtarët e Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Ministrisë së Brendshme të Italisë, të cilët shkruan: “Në disa tavolina kishte shishe shampanje të zbrazura dhe disa ende të mbyllura, por të gjitha kishin shatërvanin piroteknik të vendosr në qafë.”