Pas stuhisë së polemikave që shpërthyen për shkak të qëndrimit të kryebashkiakut të Crans-Montanës, Nicolas Féraud, i cili në konferencën për shtyp të mbajtur një ditë pas tragjedisë nuk kërkoi falje ndaj viktimave, ka ndërhyrë zëvendëskryetarja Nicole Bonvin Clivaz.

Në një intervistë për televizionin publik zviceran RTS, Bonvin Clivaz u përpoq të korrigjonte komunikimin e mangët institucional, duke dërguar “një mesazh afërsie për familjet që po vuajnë” dhe duke kërkuar hapur falje.

“Nuk ka asnjë justifikim për faktin që nuk u kërkua falje, – pranon ajo. – Kur je nën presion, ndonjëherë vepron me ngathtësi, por sot është e domosdoshme ta bëjmë: jemi pranë familjeve, pranë viktimave, pranë këtyre njerëzve që po vuajnë.”

Zëvendëskryetarja pranon gjithashtu mungesat serioze në kontrolle: “Ka pasur një dështim. Kontrollet nuk janë kryer dhe ne e pranojmë këtë, duke marrë përgjegjësinë për këtë mangësi. Megjithatë, do të jetë hetimi ai që do të përcaktojë përgjegjësitë. Për momentin nuk kemi ende përgjigje përfundimtare.”

Sipas Bonvin Clivaz, hetimi do të jetë i gjatë dhe kompleks: “Ka ende shumë për t’u zbuluar dhe për t’u sqaruar. Kemi rikuperuar të gjithë dokumentacionin nga arkivat dhe jemi përpjekur të rindërtojmë sa më saktë ngjarjet. Brenda pak orësh na është dashur të rindërtojmë 60 vite histori. Besoj se e kemi bërë këtë me seriozitet dhe me vullnet për transparencë.”

Megjithë bilancin tragjik prej 40 viktimash dhe pranimin e mungesës së kontrolleve – që potencialisht mund ta kishin shmangur katastrofën – për zëvendëskryetaren “në këtë fazë nuk shtrohet çështja e dorëheqjeve”.

Ndërkohë, edhe Jessica Moretti, e vendosur në arrest shtëpie pas marrjes në pyetje, u ka kërkuar falje familjarëve të viktimave: “Asnjëherë nuk do ta kishim imagjinuar një gjë të tillë. Dhe ndodhi në lokalin tonë.”

Fjalë që, megjithatë, nuk kanë mjaftuar për të zbutur dhimbjen dhe zemërimin e prindërve që humbën fëmijët e tyre në lokalin Constellation natën e Vitit të Ri.

Nuk dua të di asgjë për zonjën Moretti. Nuk kam asnjë koment. Sa i përket prokurores, ajo ka bërë tashmë disa gabime. Duhet të ndiqen hetimet e autoriteteve zvicerane”, deklaroi Carla Minghetti, nëna e Riccardo Minghetti-t, pas meshës përkujtimore të mbajtur në Romë në nderim të viktimave./ CorrieredellaSera