Tragjedia kineze/ 5 vite më parë u dogjën dy shqiptarë, Artan Hoxha: Grupet e trafikut drejt Anglisë vijojnë, janë bërë si agjencitë turistike

Tragjedia me 39 kinezët që u gjetën të vdekur në një kamion në një park industrial në Essex pak ditë më parë në Angli shokoi botën, por po në të njëjtën mënyrë humbën jetën edhe dy shqiptarë në 2014, të cilët ishin nisur për të njëjtin destinacion. Në datë 21 nëntor të vitit 2014 dy emigrantët shqiptarë humbën jetën pasi kamioni në të cilin udhëtonin ilegalisht nga Polonia për në Britaninë e Madhe u përfshi nga flakët. Erinda Kacorri ndodhej ne kamion me të riun Rexh Myzaraj.

Erinda Kacorri dhe Rexh Myzaraj që humbën jetën në 2014

Ajo do të kalonte kufirin për t'iu bashkuar të fejuarit te saj ne Angli, por kamioni me të cilën po udhëtonin u shkrumbua nga zjarri duke i djegur. Për të diskutuar për cështjen e trafikut, që është akoma aktuale ishin të ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin Repolitix,  gazetarët Artan Hoxha, Elton Qyno, Poli Hoxha dhe Arben Hajdarmataj  ish- drejtues policie. Për gazetarin e Report Tv, Artan Hoxha grupet e trafikut të klandestinëve drejt Anglisë vijojnë dhe janë bërë si agjencitë turistike.

"Shqiptarët në këto 30 vite, duke më përfshirë edhe mua ilegalisht kam ikur për shkak të kushteve të jetesës, varfërisë, për një të ardhme më të mirë. Kuksianët fillimisht përdornin dokumente të ish-Jugosllavisë. Ky lloj trafiku organizohet kështu, nëse ke ndërmend të ikësh nuk lodhesh fare, pasi janë si agjencitë turistike, 'Travel' por nuk e shënojnë, por dihet se kush con njerëz në Londër. Trafiku i klandestinëve ndërthuret me atë të narkotikëve, pasi më pas për të shlyer shumën që paguajnë 15 apo 17 mijë paund për të shkuar, atje punojnë në plantacionet me kanabis me llampa brenda banesave. Ata i fusin në kamionë të mbyllur, pasi nuk ka rrugë tjetër.

Vjet në mars mesa kujtoj këtu erdhën dy përfaqësues britanikë dhe ata kishin të dhëna për zonat nga ku shkonin shqiptarët. Më kërkuan edhe mua ti shoqëroja dhe lëvizëm në Tiranë, Lac, Mamurras, Kukës, Has, Bajram Curr, Burrel, Klos, Peshkopi. Ata erdhën të shikonin që gjithë ajo zhurmë që bëhej në Angli, ku shkonin paratë dhe mbeten të traumatizuar, pasi gjendja atje është shumë e keqe. Në Dibër në një rast një klasë me 18 nxënës, 15 kur u pyetën se cfarë do të bëheni kur të rriteni u përgjigjën duke thënë do të shkojmë në Angli. Ai niset nga këtu se do të punojë atje të kanabisi me llampa për të bërë lekët" tha Hoxha.

Gazetari Hoxha identifikoi tre kategori të trafikut të klandestinëve nga grupet shqiptare. "Sot kemi shqiptarët që shkojnë drejt Anglisë dhe Irlandës, problemi tjetër është i të huajve që trafikantët shqiptarë i trafikojnë nga vendet arabe dhe Shqipëria është një nga degëzimet që i kalon nga një vend në tjetrin. Këtu ka edhe një grup të tretë, ata që kanë shkelur rregullat e lëvizjes 'Shengen' dhe janë kthyer dhe duan të shkojnë sërish në vendet e BE-së".

Hoxha tregoi edhe një linjë ekstreme të trafikut. "Është një linjë që më ka lënë pa mend, i kalonte në këmbë nga Kolumbia në Panama në xhungël, më pas në Honduras dhe më pas në Meksikë dhe kur tentuam të hyjmë në Amerikë u kapën. Ai tjetri hapi një qendër interneti në Bogota dhe e vranë atje" tha ai.

Por ku ka më shumë emigrantë shqiptarë? "Ne deri vonë kemi besuar se më shumë shqiptarë ka në Greqi, por më shumë me dokumente janë në Itali, sot kemi 485 me letra në Itali, 460 mijë në Greqi, vendi i tretë ishte Gjermania, pastaj Britania, ndërsa në Kanada ishin 70 mijë" tha Hoxha.

Ndërkohë që gazetari Poli Hoxha u shpreh se trafiku drejt Anglisë është i organizuar. "Atëherë para liberalizimit të vizave në 2008 trafikun e bënte policia, ishte e implikuar 100%. Aktualisht ne kemi një trafik të organizuar. Anglia ka një problem shumë të madh, pasi shqiptarët janë me dokumente kosovare. Tani ka filluar një verifikim, ndërsa përfitojnë amnisti vetëm 18-vjeçarët. Megjithatë ka një panik te shqiptarët, pasi edhe mund të dënohesh për mashtrim" tha ai.

Ish-drejtuesi i policisë, Arben Hajdarmataj   tha se shqiptarët që trafikohen në Angli për të shlyer shumën e lartë që paguajnë punojnë në plantacionet me kanabis të ngritur nga grupet kriminale. "Ai niset nga Shqipëria me këtë qëllim, që pagesën ta shlyejë te shtëpia me plantacionet me kanabis. Qëndron atje derisa mbyll pagesën për rrugën. Këtu lindin konfliktet dhe gjithë këto konflikte që ndodhin atje, transferohen më pas këtu".

Gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno tha se janë shtatë grupe që janë identifikuar që kryejnë trafik klandestinësh jo vetëm në Angli, por edhe përtej Oqeanit. "Këtu zyrtarë të lartë kanë ardhur jo vetëm nga Anglia, por nga shumë vende të tjera për të ngritur urat e komunikimit për të frenuar këtë valë të madhe emigracioni. Janë 7 grupe që janë identifikuar".

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë përfitimet shëndetësore që vijnë nga konsumimi i çokollatës së zezë

Cilat janë përfitimet shëndetësore që vijnë nga konsumimi i çokollatës së zezë